Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë.
Protesta e Partisë Demokratike ka vijuar edhe këtë herë përpara Parlamentit ku protestuesit kanë hedhur sërish molotovë drejt policisë dhe kjo e fundit u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë. Lideri demokrat Berisha këtë herë ka qëndruar pranë protestës deri rreth 30 minuta më parë, për t’iu drejtuar më pas selisë së Partisë.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar tek ura e rrugës së Elbasanit ku situate është përshkallëzuar. Protestuesit kanë shënjestruar dy autobotë dhe forcat e policisë që ishin stacionuar tek ura e Rrugës së Elbasanit drejt të cilëve janë hedhur dhjetëra molotovë. Policia ka shtuar sasisë e gazit lotësjellës rreth orës 20:30, duke mbuluar me gaz gjithë hapësirën pranë urës dhe parlamentit, por përplasjet kanë vijuar.
Gazi lotësjellës ka përfunduar edhe në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë, e cila në këtë periudhë ka edhe një numër më të madh të besimtarëve për shkak të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Situata ka qenë shumë problematike, edhe pse një pjesë e besimtarëve janë larguar, shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuar dhe pa rrugëdalje për t’iu shmangur gazit lotsjellës dhe të tjerë kanë vijuar ritin e faljes.
Ndërkohë Berisha ka deklaruar se Policia po kalon çdo limit, ndërsa deputeti i PD Belind Këlliçi ka deklaruar se kanë në plan të vijojnë protestën sa më gjatë të jetë e mundur.
Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për këtë protestë.
Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
19:50 U shpërndanë me ujë nga policia, protestuesit lënë Kryeministrinë dhe mbërrijnë te Parlamenti
Policia iu përgjigje me autobota me ujë, duke i shpërndarë dhe duke shuar zjarrin që u ndez në disa pjesë të godinës. Menjëherë pas kësaj, ata braktisën Kryeministrinë dhe mbërritën përpara Kuvendit.
19:47 Protesta e dhunshme PD-së përpara Kryeministrisë, reagon Balla: Grupi kriminal mbulohet me çadra gati për molotovët e një plaku të rrjedhur
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.
Përmes një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”
19:32 Berisha mbaron fjalimin e tij, nis hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.
Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.
19:30 “Regjimi i sotëm si diktatura 46-vjeçare”, Berisha: Rama do rrëzohet si shtatorja e diktatorit
Kryedemokrati Sali Berisha në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat e kryengritjet.
Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.
19:24 “Nderim atyre që çliruan Shqipërinë 46 vite më parë”/ Protesta e PD, Berisha: Kush do e mendonte që pushtetet do ishin në dorën e një tradhtari
Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.
Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.
“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.
19:10 “Ndryshimi nuk fillon nga kafenetë”, pedagogu Hasimja nga protesta e PD-së: Bashkohuni me ne që të mos na vritet shpresa dhe të drejtat tona
Pedagogu Ermal Hasimja mori pjesë në protestën e PD-së para Kryeministrisë, ku iu bëri thirrje qytetarëve për tu bashkuar.
Hasimja nga podiumi shprehu se shqiptarëve i duhet fryma që para 3 dekadash rrëzoi diktaturën e Enver Hoxhës duke ju bërë thirrje qytetarëve për bashkim për të mbrojtur të drejtat e tyre.
18:53 Protesta e PD para Kryeministrisë, aktorja Rajmonda Bulku kujton 20 shkurtin e 1991: Morëm në dorë guximin sepse donim të ishim të lirë
“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.
17:20 Opozita ka thirrur protestë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë/ Policia e Tiranës: Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit, mund të ketë veprime të dhunshme
Policia e Tiranës njofton se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për protestën që ka njoftuar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
12:12 Partia Demokratike bëhet gati për tubimin, ‘blindohet’ godina e Kryeministrisë
Edhe pse Policia e Tiranës njoftoi se nuk e ka autorizuar për zhvillimin e tubimit, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën që pritet të nisë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Godina e Kryeministrisë ka nisur ndërkohë “blindimin”, në mënyrë që të mos cenohet nga protestuesit.