Bota Lifestyle

Eklispi i “Hënës së përgjakur”, kur dhe si mund ta shihni?

Për herë të parë që nga viti 2022, vëzhguesit e qiellit në Amerikën e Veriut do të kenë mundësinë të shohin një eklips të plotë të Hënës, duke e parë atë duke u shndërruar në një nuancë të kuqërremtë.

Ky fenomen i rrallë do të ndodhë pas mesnatës së 14 marsit për qytetarët në lindje të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadë, ndërsa ata në gjysmën perëndimor të kontinentit do të mund ta shohin më herët, para mesnatës së 13 marsit.

Një eklips hënor ndodh kur Toka kalon ndërmjet diellit dhe hënës, duke hedhur hijen e saj mbi hënë.

Gjatë kësaj periudhe, hëna merr ngjyrën e njohur “hëna e përgjakur”, për shkak të shpërndarjes së dritës së diellit përmes atmosferës së Tokës, e cila lejon vetëm gjatësi vale më të gjata, të kuqe, të arrijnë në hënë. Efekti është i ngjashëm me perëndimet e diellit, që gjithashtu shfaqin nuanca të kuqe.

Në këtë rast, parashikimet sugjerojnë kushte të pastra atmosferike, çka mund të sjellë një hënë me një ngjyrë portokalli-të kuqe më të ndritshme. Vëzhguesit mund ta shijojnë këtë fenomen nëse gjenden në një vend të hapur, pa pengesa, dhe nuk kanë nevojë për syze speciale, ndryshe nga eklipset diellore.

Për ata që duan të kapin momentin, një smartphone me trekëmbësh mund të ofrojë mundësi të shkëlqyera fotografimi, ndërsa përdorimi i dylbive apo teleskopëve mund të ndihmojë në shikimin e detajeve të hënës, ndërkohë që qielli përreth saj do të errësohet mjaftueshëm për të zbuluar yje të tjerë të ndritshëm, si Spica dhe Regulus.

Nëse ky eklips do t’ju shpëtojë, mund të prisni deri më 7-8 shtator 2025 për eklipsin tjetër të plotë të Hënës, i cili do të jetë i dukshëm kryesisht në Afrikë, Evropë, Azi dhe Australi.

Vëzhguesit në Amerikë do të duhet të presin deri më 3 mars 2026 për një eklips të tillë në rajonin e tyre.