Nevojiten mesatarisht 7 deri në 9 orë gjumë çdo natë që trupi të riparohet, truri të rifreskohet dhe ne të funksionojmë mirë gjatë ditës. Sipas një mjeku, pas shtrirjes në shtrat nuk duhet të marrë më shumë se 20 minuta për të rënë në gjumë. Nëse po ju merr më shumë kohë, mund të jetë momenti të ndryshosh disa zakone të jetesës. Dr. Seeta Shah, eksperte e gjumit në kompaninë Panda London, tha se për personat mbi 18 vjeç, koha për t’u fjetur është mjaft e qëndrueshme. “Është ideale të flesh brenda 10 deri në 20 minuta pasi shtrihesh”, shpjegon ajo.
“Nëse flini shumë shpejt ose ju duhet më shumë kohë, kjo mund të jetë shenjë që diçka nuk shkon dhe duhet të ndryshohen disa zakone. Por me zakonet e duhura, shumica mund të bien në një ritëm të shëndetshëm”. Ata që bien në gjumë shumë shpejt duhet të jenë të kujdesshëm, sepse kjo mund të tregojë se janë shumë të lodhur nga mungesa e gjumit.
Gjithashtu, nëse kalon më shumë se 30 minuta duke u përpjekur të flesh, kjo mund të tregojë stres të lartë, rutinë jo të rregullt ose zakone të këqija të gjumit. Por ekzistojnë disa hapa të thjeshtë që mund t’i ndërmarrësh për të përmirësuar këto probleme. Është shumë e rëndësishme të rishikoni ambientin ku flini, duke u siguruar që dhoma e gjumit të jetë një vend i qetë që ndihmon për të fjetur më shpejt dhe më mirë.
Për këtë, duhet të marrësh parasysh temperaturën, zhurmën dhe dritën, sepse nëse janë në nivele të papërshtatshme, ato mund të vonojnë gjumin. “Mbaje dhomën tënde të ftohtë, të qetë. Relaksohu duke lexuar diçka të qetë, përdor ndriçim të butë dhe përpiqu të mos pish shumë kafe vonë në ditë. Këto janë disa nga mënyrat më të mira për të ndihmuar që të flesh më lehtë dhe më shpejt”.