Rajoni

Për takimin në Bruksel: Vendosim pasi të vizitohen policët e rrëmbyer!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se vendimin për të shkuar në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksander Vuçiç do ta marrë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari te tre policët që po mbahen në paraburgim 30-ditor në Kralevë.

Jashari pritet të shkojë nesër në qendrën e paraburgimit dhe më pas do të vlerësoj për takimin me Vuçiçin. Eshtë e domosdoshme vendosja e ligjshmërisë në veri.

Këto komente, Kurti i bëri pasi mori pjesë në shënimin e 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik. Ndërsa Beogradi thotë se tre policët u arrestuan në tokë serbe, Prishtina nuk ka dyshime se ata u rrëmbyen dhe deklaron se ata ishin në territorin e Kosovës, në komunën e Lesaviçit, në një operacion për të luftuar kontrabandën ilegale nga Serbia.

Kryeministri Edi Rama reagon sërish në lidhje me rastin e tre policëve kufitarë të Kosovës të arrestuar nga serbët dhe që po mbahen në paraburgim 30 ditor. Ndërsa sërish i bën thirrje Beogradit t’i lirojë, shefi i qeverisë paralajmëron se nëse kjo nuk ndodh, këtë javë rikthehet “akulli” në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

Një apel drejtuar Albin Kurtit. Kryeministrit të Kosovës, Rama i kërkon të dalë nga ajo që e quan “guacka e vetizolimit”.

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!