Kosovës dhe në veçanti Prishtinës prej dy vitesh i mungoi njëri nga festivalet që bëri bujë të madhe ndërkombëtare. Por, duket se pritjes së gjatë tashmë i erdhi fundi. “Sunny Hill” është konfirmuar se do të rikthehet këtë verë pas dy vitesh pauzë për shkak të situatës me pandeminë e COVID-19.
Duke marrë parasysh që ngjarja e madhe kulturore mbahet në fillim të muajit gusht, përgatitjet thuhet se kanë filluar. Njëri prej organizatorëve të “Sunny Hill”, Alban Kastrati së fundmi ka dhënë më shumë detaje rreth asaj se çfarë do të ketë këtë vit.
Tashmë është konfirmuar që ‘Sunny Hill Festival do të mbahet’ dhe të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që ky të jetë edicioni më i madh i ‘Sunny Hill’ i bërë deri tani, si për nga numri i pjesëmarrësve që do të jenë pjesë në festival, po ashtu edhe numri i artistëve performues.
https://www.instagram.com/p/CcBMzFuIi6U/
Ai shton se ky edicion do të zgjerohet për të mbështetur segmente të shoqërisë me vlera të ndryshme.
Ky edicion do të zgjerohet e masivizohet, për tu shndërruar në një platformë të madhe e cila mbështet shumë segmente të shoqërisë dhe krijon vlerë të rëndësishme ekonomike, sociale dhe kulturore për vendin tonë.
Kastrati bëri të ditur se janë në fund të diskutimeve, në mënyrë që “Sunny Hill” ta realizojë gjithë potencialin e vet.
Natyrisht ne presim mbështetje të plotë nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe gjitha institucionet tjera relevante. Me Komunën e Prishtinës diskutimet janë në fazën finale dhe kemi marrë zotime shumë të rëndësishme dhe të nevojshme nga Kryetari Rama dhe i gjithë ekipi i tij në mënyrë që ‘Sunny Hill’ ta realizojë të gjithë potencialin e vet, për të sjellë dhjetëra mijëra njerëz në Prishtinë nga e gjithë bota, për të promovuar Prishtinën dhe gjithë Kosovën në mbarë botën.
https://www.instagram.com/p/CcnSfiBIv_v/
Pavarësisht se është paksa herët për të zbuluar të gjitha detajet, premtohet se Prishtina sërish do të jetë në qendër të rajonit, e shumë vendeve në botë.
Në pamundësi për t’u zbuluar të gjitha detajet, mund të themi se këtë verë Prishtina do ta marri sërish gjithë vëmendjen e rajonit, Evropës Juglindore e shume vendeve të ndryshme të botës, sepse do të kemi një edicion të festivalit i cili do të përflitet e mbahet mend gjatë.
Sa i përket lokacionit të festivalit, ende akoma nuk ka një lokacion të saktë dhe sipas Albanit është në diskutim e sipër.
Kjo është një çështje që po e finalizojmë bashkë me Komunën e Prishtinës dhe shumë shpejtë do të kemi njoftime të përbashkëta publike.
Diva e muzikës pop, Dua Lipa ka treguar se do të jetë prezente në festivalin “Sunny Hill”.
Po përpiqem të bëj sa më shumë njerëz që të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë: dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre se si janë këto vende. Festivali ynë ‘Sunny Hill’ do të përsëritet në Kosovë, në gusht të këtij viti, dhe më pas do të kthehem me siguri në Shqipëri.
Rikujtojmë, se festivali që ka shkaktuar jehonë ndërkombëtare ka nisur në vitin 2018. Ky koncert është mbajtur për dy vite radhazi, 2018 dhe 2019 në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë. Festivali, nën drejtimin e babait të Dua Lipës, Dukagjin Lipës, në edicionet e mëparshme të “Sunny Hill” solli yje e artistë të mëdhenj të tregut ndërkombëtar.