Regjisori James Cameron ka thënë se po përpiqet të marrë nënshtetësinë e Zelandës së Re për t’i shpëtuar presidentit amerikan Donald Trump. Cameron, regjisori i filmave “Titanic” dhe “Avatar”, e quajti “të tmerrshëm” kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Regjisori, i cili ka jetuar në Zelandën e Re për gati dy dekada, por nuk është bërë ende shtetas, tha se beson se Amerika po humb vlerat e saj thelbësore nën udhëheqjen e Trump.
Cameron shtoi se megjithëse jeton jashtë Amerikës, ai nuk beson se është e mundur t’i shpëtohet plotësisht ndikimit global të Trump. “Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj, globalisht. Nuk e di nëse ndihem më i sigurt këtu, por të paktën nuk duhet të lexoj për të në faqet e para çdo ditë”-tha ai. Cameron iu bashkua një numri të famshëm që kanë shprehur më parë dëshirën e tyre për t’u larguar nga SHBA nëse Trump zgjidhet, duke përfshirë aktoret Whoopi Goldberg dhe Lena Dunham, si dhe këngëtarja Cher.
Një skenë e paprecedentë u zhvillua brenda Zyrës Ovale, ku vizita e Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, e cila pritej të përfundonte me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme për minerale të rralla, u shndërrua në një përballje të ashpër mes dy liderëve. Para kamerave dhe nën sytë e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky ngritën tonet, duke shkëmbyer akuza dhe ofendime të rënda. Trump, me një ton të ashpër, e akuzoi presidentin ukrainas se po e vendoste veten “në një pozitë të tmerrshme” dhe se “po luante me zjarrin e një Lufte të Tretë Botërore”.
Situata u ndez edhe më shumë kur Trump, i zemëruar, shpërtheu: “Duhet të jeni mirënjohës! SHBA ka bërë më shumë për ju sesa duhet!” Pastaj, duke treguar me gisht drejt Zelenskyt, e sfidoi: “Ti nuk ke asnjë kartë në dorë!” Përplasja verbale vazhdoi për rreth 20 minuta, ndërsa zyrtarët në dhomë qëndronin të ngrirë nga shoku. Madje, sipas raportimeve të mediave, ambasadorja ukrainase në SHBA, Oksana Markarova, u pa duke mbajtur kokën me duar, e tronditur nga ajo që po ndodhte.