Shkon në 467 numri i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë, 24 orët e fundit u identifikuan 21 raste të reja, pas kryerjes së 193 testeve. Sipas numrit një të ISHP-së, Albana Fico, mes 21 rasteve të reja, janë dy fëmijë asimptomatikë e një personel shëndetësor. Edhe 15 vetë u shëruan duke e çuar në 232 totalin. 23 vazhdojnë të jenë viktimat e koronavirusit në vend. Te Infektivi e te spitali COVID-2 po trajtohen 52 pacientë, 7 të intubuar. Harta e të prekurve zgjerohet në Tiranë me 6 raste, në Shkodër me 13, si dhe në Durrës e Has me nga një. Rastet e identifikuara 24 orët e fundit, janë kontakte të atyre të mëparshme me COVID-19. Për nga të infektuarit me koronavirus, kryeson Tirana me 221, Shkodra 70, Durrësi 42, Fieri 32, Korça 17, Elbasani 15, Lezha 14, Hasi 13. Kavaja ka 8 raste me COVID-19, Lushnja e Kruja nga 6, Puka e Vlora nga 5, Tropoja e Rrogozhina nga 4, Mirdita 3 e Berati 2.