Tech

Përfiton ekonomikisht nga transmetimet “live” të fëmijëve që lypin, TikTok sërish nën akuzë!

Një investigim i “Observer” ka hedhur dritë mbi sjelljen e platformës TikTok, e cila duket se po përfiton ekonomikisht nga transmetimet live të fëmijëve të varfër që kërkojnë lëmoshë, pavarësisht se pretendon se ndalon lypjen. Algoritmi i TikTok, me sa duket, po promovon video që shfaqin të mitur që luten të marrin dhurata virtuale, për t’u shkëmbyer me para, ndërsa marrin komisione deri në 70% nga të ardhurat e përmbajtjes.

“Praktikat e dokumentuara përfaqësojnë abuzime të rëndësishme dhe duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të siguruar që platformat të mos lejojnë më, ose të mos përfitojnë më drejtpërdrejt ose tërthorazi, përmbajtje të tilla,”-tha Jeffrey DeMarco nga “The Save The Children”. Hetimi, i kryer nga “Observer” midis janarit dhe prillit të këtij viti, zbuloi prova të lypjes dhe sjelljeve të ngjashme në Indonezi, Pakistan, Afganistan, Siri, Egjipt dhe Kenia. Shumë prej transmetimeve të drejtpërdrejta duket se janë krijuar qëllimisht për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve dhe për të marrë parà.

Përtej lypjes, shumë nga videot shfaqnin fëmijë dhe të rritur nga vendet e varfra të filmuara duke kryer veprime të rrezikshme ose degraduese në këmbim të parave, të tilla si goditja e vetes duke shkaktuar dhimbje, qëndrimi i mbuluar në këmbë për një kohë të gjatë në kamerë. Për t’i dhënë fund kësaj situate, pas investigimit të Observer, rrjeti social kinez hoqi disa prej llogarive të raportuara nga investigimi i revistës angleze.

Bdërkaq, vonesa shtesë prej 75 ditësh e presidentit amerikan Donald Trump në afatin e shitjes ose ndalimit të TikTok, sipas një demokrati me ndikim, është drejtpërdrejt “kundër ligjit”. Pasi Trump njoftoi shtyrjen, 12 anëtarë republikanë të Komitetit të Përzgjedhur të Dhomës për Kinën, përfshirë kryetarin John Moolenaar (R-MI), lëshuan një deklaratë të përbashkët. Deklarata nuk adresonte shqetësimet ligjore me zgjatjen e dytë, por thoshte se çdo rezolutë duhet të sigurojë që ligji i SHBA-së të ndiqet dhe se Partia Komuniste Kineze nuk ka akses në të dhënat e përdoruesve amerikanë ose aftësinë për të manipuluar përmbajtjen e konsumuar nga amerikanët.