Influencues apo përfitues? Për shefin meksikan Edgar Núñez sigurisht është kjo e fundit. Më 18 qershor, Núñez postoi në Twitter një mesazh të marrë nga një influencuese, e quajtur Manuela Gutiérrez, ku thuhej:
Ç’kemi! Si jeni? Restoranti juaj është thjesht spektakolar! Do të jem në Meksikë në fund të muajit me të dashurin tim dhe do të doja të dija nëse ishte e mundur të bëhej një shkëmbim reklamash, ku rekomandoj dhe tregoj shërbimet tuaja në Instagramin tim në këmbim të një vakti për dy. Do të ishte një nder për mua të punoja me ju.

Por shefi i kuzhinës, pronar i restoranteve, Sud777 dhe Comedor Jacinta, të renditur ndër 50 restorantet më të mira në Amerikën Latine, nuk e priti aspak mirë këtë propozim. Në Twitter, ai postoi screenshotin e mesazhit të shoqëruar me këtë përshkrim:
Nuk kam nevojë që njerëzit të përfitojnë duke thënë se vijnë për të ngrënë ushqimin tim dhe të tregojnë një botë fantazie që normalisht nuk mund ta përballojnë. Pse do të doja të shfaqesha në profilin e dikujt që nuk ka lidhje me gastronominë dhe që poston vetëm foto me rroba banje?

Ai shtoi se Manuela ka vetëm një të katërtën e ndjekësve të tij në Instagram. Në fakt, deri më sot Manuela Gutiérrez ka pothuajse 107,000 ndjekës, ndërsa Núñez ka 150,000. Para polemikave, ndjekësit e saj ishin rreth 65 mijë dhe ata janë rritur në mënyrë dramatike pas incidentit. Megjithatë, përsëri ai ka më shumë ndjekës se sa vetë influencuesja. Si përfundim, nuk ka darka falas në restorantin e tij sepse, siç thotë ai, influencuesit dinë vetëm të përfitojnë.