Aktualitet

Rinumërimi për Tiranën vijon me të njëjtin ‘trend’, hapen 820 kuti!

Prej orës 09:00 në pallatin e Sportit “Farie Hoti” po vijon rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri më tani janë hapur 820 kuti nga 1282 në total, ose 64% e kutive. Trendi i rinumërimit vijon i njëjtë, ku deri më tani janë zbuluar vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim as në mandatet mes partive politike, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.

Shanset që Partia Demokratike të marrë mandatin e 14-të në Tiranë, me këtë trend të rinumërimit, janë zero. Ajo kryeson me numrin e votave të marra padrejtësisht më 11 maj, ku deri më tani nga rinumërimi i zbriten 438 vota, ndërkohë që PS ka 319 që s’i takonin. Pjesa më e madhe e këtyre votave janë të pavlefshme, ose vota që u janë marrë partive të vogla.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu 37 vota të pamerituara, PSD 30 vota, Lëvizja Bashkë 34 vota ndërsa Partia Mundësia ka 31 vota më shumë. Të gjitha votat që s’u takojnë, këtyre partive u zbriten. Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 28 vota, të cilët rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt rezulton se i kanë marrë 5 vota nga 11 maji.

Edhe kandidatët kanë marrë vota pa meritë. Ilir Alimehmeti i PD ka 90 vota të pamerituara, që u zbriten nga rezultati fillestar. Ilir Meta rezulton se ka marrë 53 vota pa meritë, Myslim Murrizi i janë shtuar padrejtësisht 48 vota. Vota pa meritë kanë shkuar edhe në drejtim të Jorida Tabakut, e cila deri më tani ka 66 vota të tilla.

Edhe në PS ka lëvizje votash. Numrin më të lartë të votave që i janë shtuar pa meritë e ka Ervin Hoxha me 256. Fatmir Xhafaj ka 135, Xhemal Qefalia ka 128, Erion Braçe ka 145. Ky i fundit reagoi ashpër  duke akuzuar KAS se po ia kthen votat në të pavlefshme, ndërsa ka ndarë edhe disa foto, ku thotë se nëse KAS mendon se ai ka vjedhur vota, këtë duhet ta thotë me vendim. Nga ana tjetër, vetë anëtari i PD në KAS, Ledio Braho, thotë se deri tani nuk ka trafikim masiv votash për kandidatët.