Ministrat e Tregtisë së Bashkimit Europian, sot do të takohen në Luksemburg për të hartuar një strategji për të bindur presidentin amerikan Donald Trump që të tërhiqet nga tarifat e reja të vendosura ndaj bllokut. Po ashtu, ministrat e BE-së pritet të diskutojnë tarifat reciproke, si dhe të tjera masa hakmarrëse që do të zbatohen në rast se dështojnë përpjekjet për të negociuar një zgjidhje me Uashingtonin.
Qeveria amerikane prezantoi tarifa universale prej një minimumi prej 10% për importet nga pothuajse të gjithë partnerët e saj tregtarë të shtunën, pasi Trump i shpalli ato në fillim të javës së kaluar. Taksa dukshëm më të larta do të aplikohen për disa vende, në varësi të defiçitit tregtar. Importet nga vendet e Bashkimit Europian në SHBA përballen me tarifa të reja prej 20% duke filluar nga e mërkura e 9 prillit.
Gjermania do të përfaqësohet nga ministri në largim i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili, si shumë nga homologët e tij të BE-së, druhet se tarifat e reja të Trump-it do të kenë pasoja të rënda për ekonominë globale. Trump tha se ai synon të kundërshtojë çekuilibrat e pretenduar tregtarë, ndërsa vazhdon të bindë prodhuesit të prodhojnë në Shtetet e Bashkuara. Ai po kërkon edhe të financojë shkurtime të taksave në shkallë të gjerë, një premtim qendror i fushatës.
Ministrat do të diskutojnë po ashtu marrëdhëniet tregtare me Kinën. Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovich pritet t’i informojë mbi bisedimet e fundit në Pekin. Prej disa vitesh, BE-ja është përpjekur të bindë Kinën që t’i japë fund praktikave tregtare, duke përfshirë subvencionet që blloku i konsideron se çregullojnë konkurrencën.
Vitin e kaluar, mallra me vlerë 531,6 miliardë euro u eksportuan në Amerikë, me vetëm 333,4 miliardë euro mallra të importuara. Në sektorin e shërbimeve, nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka një deficit tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.