Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i është përgjigjur vendimit të presidentit amerikan Donald Trump i cili ndërpreu negociatat tregtare me Kanadanë, për shkak të reklamave të fundit televizive që protestonin kundër tarifave të SHBA-së.
“Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë fqinjë dhe aleatë. Presidenti Ronald Reagan e dinte se ne jemi më të fortë së bashku. Zoti e bekoftë Kanadanë dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara”, shkroi Ford në rrjetet sociale, pas kritikave të ashpra të Trump-it.
Reagimi i tij erdhi pasi presidenti amerikan njoftoi ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve tregtare me Kanadanë, duke e akuzuar Ontarion për përdorim “mashtrues” të zërit të ish-presidentit Ronald Reagan në një reklamë televizive që kritikonte tarifat tregtare.
Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se reklama është e rreme dhe keqpërdor mesazhin e Reagan-it për qëllime politike. Sipas tij, tarifat janë thelbësore për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e SHBA-së”, ndaj të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë përfundojnë këtu.
Ndërkohë, Fondacioni Ronald Reagan konfirmoi se qeveria e Ontarios nuk kishte kërkuar leje për të përdorur dhe modifikuar zërin e ish-presidentit në reklamë, por pranoi se citimi përputhet me fjalimin e Reagan-it të vitit 1987 mbi tregtinë e lirë.
Doug Ford ka mbrojtur publikisht fushatën, duke thënë se qëllimi i saj është t’ua përcjellë amerikanëve mesazhin për rëndësinë e tregtisë së hapur dhe të ndershme, veçanërisht në shtetet ku Trump gëzon mbështetje të gjerë.
Reklama, e cila sipas Ford ka kushtuar 75 milionë dollarë, është transmetuar në rrjetet më të mëdha televizive amerikane dhe ka ndezur një debat të ri mbi marrëdhëniet tregtare SHBA–Kanada.