Presidenti Donald Trump ka shprehur pakënaqësi lidhur me planin e CEO-s së Apple, Tim Cook, për të prodhuar iPhone të destinuar për tregun amerikan në fabrika të reja në Indi.
“Kisha një problem të vogël me Tim Cook dje,” deklaroi Trump të enjten në Katar. “I thashë, ‘Tim, je miku im. Të kam trajtuar shumë mirë. Po vjen me 500 miliardë dollarë.’ Por tani po dëgjoj që po ndërton gjithandej në Indi. Nuk dua që të ndërtoni në Indi.”
Trump ka vendosur tarifa historike mbi pothuajse të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të nxisë prodhimin vendas, të përmirësojë balancën tregtare dhe të sigurojë të ardhura për të financuar uljet e planifikuara të taksave.

Edhe pse disa kompani, përfshirë Apple, kanë shpallur plane për të rritur prodhimin në SHBA për të shmangur tarifat e larta, ndërtimi i fabrikave zgjat me vite dhe kostoja e punës amerikane mbetet e lartë. Për korporatat amerikane nuk është e lehtë të ndryshojnë prodhimin nga një vend në tjetrin menjëherë.
Trump deklaroi se Apple mund të ndërtojë në Indi “për t’u kujdesur për Indinë” dhe pretendoi se Apple po rrit prodhimin në Shtetet e Bashkuara. Këto deklarata pasuan vendimin e Apple për të zhvendosur prodhimin e iPhone-ve të shitur në SHBA nga Kina në Indi, për të shmangur tarifat më të larta. Kompania tha se tarifat mund të shtojnë 900 milionë dollarë në kostot e saj këtë tremujor.
Tim Cook u shpreh gjatë një telefonate me analistët më herët këtë muaj se ai pret që “shumica e iPhone-ve të shitura në SHBA të kenë si vend origjine Indinë.”

Apple ka punuar prej vitesh për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të iPhone-ve në Indi, duke ndërtuar fabrika të reja dhe duke punësuar staf në vend. Kompania aktualisht nuk ka mundësi të prodhojë iPhone në SHBA, dhe duke pasur parasysh kompleksitetin e zinxhirit të furnizimit, kjo duket e pamundur të ndodhë së shpejti. Megjithëse administrata e Trump-it është e etur për ta sjellë prodhimin e iPhone-ve në SHBA, analistët thonë se kjo është pothuajse e pamundur për shkak të kostove të larta.
Sipas Dan Ives, drejtues global i kërkimeve teknologjike në Wedbush Securities, çmimi i një iPhone mund të trefishohej në 3,500 dollarë nëse do të prodhohej në Amerikë. Apple kishte shpallur më parë, në shkurt, një plan prej 500 miliardë dollarësh për të zgjeruar kapacitetet e saj në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, duke krijuar 20,000 vende të reja pune.
Ky investim vjen si pjesë e përpjekjeve të Apple për të zgjeruar zinxhirin e furnizimit jashtë Kinës gjatë viteve të fundit, pjesërisht si përgjigje ndaj problemeve të prodhimit në vend gjatë pandemisë. Këto investime përfshijnë rritjen e prodhimit të kompjuterëve Mac Pro në Teksas.