Tech

Përqafimi i IA-së, kusht thelbësor për intervistat e punës më 2025-ën!

Ndërsa kompanitë po integrojnë Inteligjencën Artificiale (IA) në çdo hallkë të punës së tyre, avantazhi konkurrues nuk lidhet më vetëm me teknologjinë, por edhe me njerëzit që dinë ta përdorin atë. Sipas raportit vjetor Work Trend Index 2024 nga Microsoft dhe LinkedIn, 66% e drejtuesve të bizneseve deklarojnë se nuk do të punësonin askënd pa aftësi në AI.

Rekrutuesit dhe drejtuesit po e ndryshojnë procesin e përzgjedhjes, duke u dhënë përparësi kandidatëve që jo vetëm kanë aftësi profesionale, por dinë të përdorin IA-në në praktikë.

Në shumë raste, këto aftësi po vlerësohen më shumë se përvoja apo formimi akademik. Tashmë, intervistat përfshijnë pyetje konkrete mbi përdorimin e mjeteve të IA ose detyra praktike, ku kandidatët testohen në kushte të ngjashme me ato të punës reale.

Çdo organizatë po kërkon njerëz që kanë eksperiencë me IA gjenerues dhe tani me agjentët e IA, thekson Thomas Vick nga kompania e këshillimit Robert Half.  Ky theksim nisi rreth një vit më parë dhe po përshpejtohet.

Një studim global i Microsoft dhe LinkedIn, me mbi 31 mijë pjesëmarrës në 31 vende, tregoi se 71% e punëdhënësve do të preferonin një kandidat më pak me përvojë, por me aftësi të IA, përpara një tjetri më të përgatitur por pa to.

PwC shton se aftësitë e kërkuara në profesione të lidhura me IA-në po ndryshojnë me një ritëm 25% më të lartë se në sektorë të tjerë. Në Mbretërinë e Bashkuar, kandidatët me aftësi në IA po fitojnë paga 23% më të larta se të tjerët, diferencë që shpesh tejkalon edhe gradat akademike deri në nivel doktorature.

Alyssa Cook nga Beacon Hill thekson se shpesh, kompanitë zgjedhin kandidatë, që dinë të përdorin pikërisht mjetet e IA-së që ato kanë në plan të implementojnë edhe nëse nuk kanë përvojë më të thellë me teknologjinë në tërësi.

Tendenca po shtrihet në departamente të ndryshme, nga financa e kontabiliteti, te rolet krijuese dhe teknike. Të dhënat e Wall Street Journal-it tregojnë se një në katër vende pune në teknologji në SHBA këtë vit kërkon aftësi të qarta në IA.

Shembuj praktikë nuk mungojnë. Në firmën Caddi, kandidatët inkurajohen të përdorin mjetet si Copilot apo Claude Code gjatë testeve teknike, për të parë si punojnë realisht me IA-në.

ChargeLab e ka kthyer përdorimin e Inteligjencës Artificiale në pjesë të detyrueshme të intervistave, duke e zgjeruar këtë qasje nga inxhinieria e deri te shitjet dhe shërbimi ndaj klientit. Në disa raste, kandidatët vihen në provë, për të treguar se si do të zgjidhnin detyra përmes IA.

Por aftësia nuk është gjithçka. Shumë drejtues theksojnë se qëndrimi dhe përqafimi i IA-së është edhe më i rëndësishëm.

Siç shprehet CTO i ChargeLab-it, Ehsan Mokhtari, “Aftësitë mësohen. Por kurioziteti për të parë vlerën e IA-së dhe dëshira për ta përdorur çdo ditë është shumë më e vështirë për t’u mësuar e më e rëndësishme për afatin e gjatë.”

Kompanitë nuk po kërkojnë thjesht përdorues të mirë të mjeteve të Inteligjencës Artificiale, por njerëz që janë kureshtarë dhe të pështatshëm në mënyrën si përdorin IA-në. Sipas tyre, ky mentalitet bën diferencën më të madhe në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi. / shqip.al