Bota

Përshkallëzohen tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, pas sulmit në Kashmir!

Tensionet mes rivalëve të vjetër, Indisë dhe Pakistanit, janë përshkallëzuar pasi Nju Delhi ndërmori një ofensivë diplomatike kundër Islamabadit, duke e fajësuar për një sulm vdekjeprurës me 26 viktima, kryesisht turistë, në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.

India e akuzoi Pakistanin se po mbështet “terrorizmin në kufi” dhe mori masa diplomatike, përfshirë uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike, pezullimin e një marrëveshjeje të rëndësishme për ndarjen e ujërave, si dhe mbylljen e pikëkalimit kryesor tokësor me Pakistanin.

Pakistani i hodhi poshtë akuzat, ndërsa një grup militant i panjohur më parë, që e quan veten Qëndresa e Kashmirit, mori përgjegjësinë për sulmin. Islamabadi tha se sot do të përgjigjet ndaj veprimeve të Indisë e se do të mbledhë Komitetin e Sigurisë Kombëtare, i përbërë nga zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë.

India ka ndërmarrë hapa të papërgjegjshëm duke hedhur akuza, deklaroi ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, për kanalin lokal televiziv Dunya News.

Dar shtoi se deri tani, veprimet e Indisë kanë qenë joushtarake dhe paralajmëroi se “çdo hap ushtarak nga India do të marrë përgjigje të njëjtë nga Pakistani”. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve kanë qenë të brishta, sidomos pas vendimit të Indisë për t’i hequr Kashmirit statusin gjysmë-autonom në vitin 2019.

India dhe Pakistani administrojnë secila nga një pjesë të Kashmirit, por të dyja e duan për vete të gjithë territorin. Prej një kohe të gjatë akuzojnë njëra-tjetrën për mbështetje të forcave destabilizuese. Militantizmin në Kashmir, India e quan “terrorizëm të mbështetur nga Pakistani”.

Pakistani e mohon këtë dhe shumë myslimanë të Kashmirit e shohin luftën e militantëve si një përpjekje të brendshme për liri. India bëri të ditur se një numri diplomatësh pakistanezë iu kërkoi të largohen nga Nju Delhi, ndërsa diplomatët indianë i ka tërhequr nga Pakistani.

Misionet diplomatike në të dyja vendet do ta zvogëlojnë numrin e stafit nga 55 në 30 duke filluar nga data 1 maj, siç njoftoi dje në mbrëmje sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri. Po ashtu, Misri vuri në dukje se i vetmi pikëkalim tokësor funksional mes dy vendeve do të mbyllet, si dhe shtoi se India po e pezullon traktatin e rëndësishëm për ndarjen e ujërave.