Aktualitet

Vazhdojnë tensionet në Aeroportin e Vlorës, “Mabco” e Pacollit: Vetëgjyqësi kriminale nga Valon Ademi!

Vazhdojnë tensionet në hyrje të Aeroportit të Vlorës mes punonjësve të “2A Group” të Valon Ademit e “Mabco”-s të Behgjet Pacollit. Siguria private e “2A Group” nuk lejon hyrjen në kantier të nënkontraktorëve të Behgjet Pacollit për të vijuar me punimet. Atje kanë shkuar edhe uniforma blu.

Përmes një sigurimi padie, nga muaji shkurt, “2A Group” fitoi në Apel të drejtën e administrimit të aeroportit. Tensione edhe mes punonjësve të Pacollit e forcave të policisë, që “Mabco”-s i kërkuan vërtetim gjykate se i lejohet vijimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës.

“Mabco Constructions S.A”, e drejtuar nga Pacolli reagoi zyrtarisht, sot në ditën e dytë të përplasjeve në hyrje të aeroportit të Vlorës me “2A Group” të Ademit.

“Mabco” thotë se vendimi i gjykatës me të cilin Valon Ademi pretendon se i jep të drejtë për të ndaluar hyrjen e punonjësve në kantier, i referohet pezullimit të së drejtës së votës të “Mabco”-s në shoqëri, jo ndalimit të punimeve.

Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta.

Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valon Ademi dhe i shpërndarë në media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së “Mabco”-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të “Mabco”-s në kantier.

Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z.Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha e Bujar Ejupit, thuhet në reagim, ndër të tjera.

Ndonëse palët kishin firmosur kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49%, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB.

Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.

Menjëherë pas kësaj, kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi e bllokoi veprimtarinë e “Mabcos” që të marrë vendime në asamble.

Më pas, Apeli e ndryshoi pjesërisht duke vendosur sigurim padie, që deri në përfundim të gjykimit, pezullonte të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë “2A Group”.