Studimet e fundit sugjerojnë se ndërsa kolesteroli i lartë është një rrezik i njohur për sëmundjet kardiovaskulare, një diagnozë e kolesterolit të lartë mund të shoqërohet me një shkallë më të ulët të vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive, gjirit, prostatës dhe zorrëve, sipas “Science Daily”. Studiuesit kanë hedhur hipoteza se kjo mund të jetë për shkak të përdorimit të gjerë të barnave që ulin kolesterolin të cilat mund të kenë efekte mbrojtëse kundër kancereve të caktuara.
Sipas studiuesve, efekti mbrojtës mendohet të jetë i lidhur me trajtime si statinat, të cilat u jepen personave të diagnostikuar me kolesterol të lartë. Këto ilaçe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kancerit ose përmirësimin e shkallës së mbijetesës. Hulumtimet mbi rolin e kolesterolit në zhvillimin e kancerit kanë zbuluar gjithashtu se manipulimi i niveleve të kolesterolit mund të ndikojë në rritjen e qelizave kancerogjene, megjithëse kjo ende, nuk është kuptuar plotësisht.
Lidhja midis kolesterolit të lartë dhe shkallës së ulët të vdekshmërisë nga kanceri nuk është një provë përfundimtare se vetë kolesteroli i lartë është një mbrojtës. Efekti mbrojtës mund të jetë për shkak të trajtimit që pacientët marrin pasi diagnostikohen. Ndërkaq, siç e dimë vezët janë ndër ushqimet më të konsumuara në botë. Ato janë të pasura me vitamina, aminoacide thelbësore, acid folik, acide yndyrore omega-3 dhe minerale si seleni dhe hekuri. Megjithatë, për shkak të përmbajtjes së kolesterolit dhe yndyrnave, roli i vezëve në ushqimin e personave me kolesterol të lartë apo me sëmundje kardiovaskulare vazhdon të jetë temë diskutimi. Sipas një analize të publikuar nga Mayo Clinic, konsumimi i moderuar i vezëve, deri në shtatë copë në javë, nuk e rrit rrezikun për sëmundje të zemrës apo të enëve të gjakut te personat e shëndetshëm.