Aktori dhe komediani Pete Davidson i ka dhënë fund lidhjes me modelen Elsie Hewitt, vetëm pesë muaj pasi çifti mirëpriti vajzën e tyre, Scottie.
Sipas raportimeve të “Page Six”, ndarja është përfundimtare dhe nuk ka asnjë mundësi rikthimi mes tyre. Burime pranë ish-çiftit tregojnë se marrëdhënia kishte kohë që po kalonte krizë dhe problemet ishin shtuar gradualisht.
Ata janë ndarë definitivisht. Situata nuk ishte e mirë prej kohësh
-ka treguar një burim për median amerikane.
Sipas raportimeve, Pete dhe Elsie kishin tentuar të shpëtonin lidhjen, por në fund kuptuan se ndarja ishte zgjidhja më e mirë për të dy.
Megjithatë, edhe pse romanca ka marrë fund, dyshja mbetet e fokusuar te vajza e tyre. Burimet thonë se Davidson dhe Hewitt janë të vendosur të bashkëpunojnë si prindër dhe të jenë të pranishëm në jetën e vogëlushes Scottie.
Një tjetër burim për “People”, ka zbuluar se vështirësitë mes tyre kishin nisur që gjatë shtatzënisë së Elsie-t. Sipas tij, lidhja kishte ecur shumë shpejt dhe çifti nuk kishte pasur kohë të njihte mjaftueshëm njëri-tjetrin para se të krijonin familje.