Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, të caktuara për më 9 nëntor bashkë me 5 bashki të tjera.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
VENDOSI
Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Vendimi u mor unanimisht nga e gjithë trupa e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë, në datë 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të shkarkuar me vendim qeverie, Erion Veliaj.
Avokatët e Erion e Veliajt e patën ankimuar dekretin e Kryetarit të Shtetit për të zhvilluar zgjedhje të pjesshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor, duke e cilësuar “në shkelje të Kushtetutës”.
Mbledhja e Gjykatës Kushtetuese u mbajt në afatet e fundit, duke marrë parasysh që avokatët e Veliajt e kishin ankimuar të enjten e kaluar, më 2 tetor dhe afati ishte 10 ditë.
Por, çfarë do të thotë vendimi i pezullimit të dekretit të presidentit Begaj? Për Tiranën, Gjykata Kushtetuese urdhëron të mos ketë zgjedhje lokale. Më herët, avokatët e Veliajt iu referuan si shkelje të rëndë kushtetuese, dekretimit të datës së zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë.
Po në Kushtetuese, Veliaj ka kundërshtuar edhe shkarkimin nga detyra si kryebashkiak. Sipas tij, mosparaqitja në detyrë lidhet me pamundësinë për shkak se është i paraburgosur. Në një dosje me 30 të pandehur, Erion Veliaj akuzohet nga SPAK-u për korrupsion e pastrim parash dhe çështja është në seancë paraprake.