Gossip Showbiz

Phoebe Gates zbulon pa dashje një detaj personal për shëndetin e babait të saj, Bill Gates? Nga çfarë vuan ai?

Phoebe Gates, vajza 22-vjeçare e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale pas një deklarate spontane gjatë një interviste në podcast, ku përmendi pa dashje një detaj të pazbuluar më parë mbi shëndetin e të atit.

Gjatë bisedës, ku tregonte për sfidat e sjelljes së një të dashuri në shtëpi si studente në Universitetin Stanford dhe si vajza e një prej njerëzve më të njohur në botë, Phoebe tha:

Babai im është pak i çuditshëm në aspektin shoqëror. E di, ai ka sindromën Asperger.

Ky koment i papritur, i bërë me një ton të çiltër, ngjalli reagime të shumta në internet, pasi Bill Gates nuk e ka konfirmuar publikisht ndonjëherë një diagnozë të tillë.

Megjithatë, Gates ka folur më parë për ndjesinë e të qenit “ndryshe” dhe për ngjashmëritë që ndjen me karakteristikat e spektrit autik.

Në kujtimet e tij të publikuara në vitin 2023 me titull “Source Code”, ai shkruan:

Isha një fëmijë shumë i përqendruar. Humbja krejtësisht në atë që po bëja, aq sa harroja edhe të haja. Ndoshta sot do të më kishin diagnostikuar, dhe kjo nuk është domosdoshmërisht negative – është pjesë e asaj që jam.

Komentet e Phoebe-s erdhën në një kohë kur Gates ka qenë më i hapur për përvojat e tij personale.

Në një intervistë për “Axio në fillim të vitit, ai rrëfeu se që në fëmijëri e kishte ndjerë se ishte ndryshe nga bashkëmoshatarët, veçanërisht për shkak të vështirësive në ndërveprimet shoqërore dhe përqendrimit intensiv në interesa specifike.

Derisa Gates nuk ka reaguar ende për deklaratën e vajzës, zbulimi ka hapur diskutime për kufirin mes privatësisë dhe ekspozimit publik, veçanërisht kur vjen nga anëtarë të familjes së figurave të njohura.

Phoebe Gates është ndër fëmijët e rrallë të personazheve të famshëm që flet hapur për jetën familjare dhe sfidat që vijnë me të, por deklarata e fundit tregon se edhe një koment i padëmshëm mund të shkaktojë valë të papritura në publik.