Bota

Bill Gates: “Njerëzit nuk kanë lindur për të punuar…”

Ish-CEO i Microsoft, Bill Gates, ka deklaruar së fundmi se “njerëzit nuk kanë lindur për të punuar”, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e punës në një botë gjithnjë e më të automatizuar. Gjatë një interviste në podcastin Express Adda, Gates theksoi se puna nuk është një qëllim në vetvete, por një nevojë që lind nga mungesa e burimeve dhe domosdoshmëria për të prodhuar të mira për mbijetesë.

Sipas tij, zhvillimi i Inteligjencës Artificiale do të lejojë automatizimin e prodhimit dhe shërbimeve në një shkallë të paprecedentë, duke reduktuar gradualisht nevojën për punë njerëzore. “Punët ekzistojnë sepse kemi mungesa. Kur këto mungesa të zhduken, do të zhduken dhe punët”-u shpreh Gates. Megjithatë, ai shtroi edhe pyetje thelbësore për të ardhmen: Çfarë do të bëjë njeriu me gjithë këtë kohë të lirë? Si do të përshtatet shoqëria me një sistem të ri, ku puna nuk është më qendra e jetës?

Gates së fundmi ka ndarë shqetësimet e tij për sfidat që brezat e rinj duhet të përballojnë në të ardhmen. Sipas tij, ekzistojnë katër çështje kryesore që kërkojnë vëmendje të menjëhershme: lufta bërthamore, ndryshimet klimatike, bioterrorizmi dhe kontrolli i inteligjencës artificiale.

“Inteligjenca Artificiale nuk është këtu për të marrë vendet e punës të programuesve, por për t’i transformuar ato. Ata që e adoptojnë si një mjet shtesë do të gjejnë se ajo zgjeron mundësitë e tyre dhe hap dyer të reja. Megjithatë, kjo kërkon përshtatje: të mësojnë rreth AI-së, të kuptojnë kufizimet e saj dhe ta përdorin strategjikisht”. Bill Gates beson se profesioni i programuesve është një nga ato që nuk do të ndikohen negativisht nga zhvillimi i kësaj teknologjie.