Lifestyle

Po i përdor prej vitesh? Ja pas sa kohe peshqirët bëhen rrezik për shëndetin!

Shumë prej nesh mendojnë se peshqirët e banjës mund të përdoren për vite me radhë, për aq kohë sa nuk janë të grisur. Megjithatë, specialistët e higjienës dhe shëndetit thonë se kjo bindje është e gabuar dhe mund të sjellë pasoja të padukshme për trupin tonë.

Edhe pse peshqirët nuk kanë një “datë skadimi” të shënuar si ushqimet, me kalimin e kohës ata humbasin cilësitë kryesore: thithjen e ujit, butësinë dhe freskinë.

Për më tepër, fibrat e vjetruara krijojnë kushte ideale për grumbullimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat shpesh nuk eliminohen as me larje të rregullt.

Sipas rekomandimeve të ekspertëve, peshqirët e banjës duhet të ndërrohen zakonisht çdo 2–3 vjet. Modelet e cilësisë së lartë, si ata prej pambuku egjiptian apo turk, mund të zgjasin deri në 5 vjet, por vetëm nëse mirëmbahen siç duhet.

Ka disa shenja të qarta që tregojnë se peshqiri ka “mbaruar afatin”: nëse nuk e thith më ujin si më parë, ka humbur ngjyrën, ndihet i ashpër ose mban erë të pakëndshme edhe pas larjes, atëherë është koha ta zëvendësoni.

Peshqirët e duarve, të cilët përdoren dhe lahen më shpesh, konsumohen më shpejt dhe zakonisht duhet të ndërrohen pas 1–2 vitesh.

Një faktor shumë i rëndësishëm është edhe mënyra e tharjes, peshqirët që qëndrojnë të lagur për një kohë të gjatë në ambiente pa ajrosje kthehen në strehë për mikroorganizma që mund të shkaktojnë irritime të lëkurës.

Ekspertët theksojnë se nuk ka nevojë që çdo peshqir i vjetër të përfundojë menjëherë në kosh. Ata mund të ripërdoren si lecka pastrimi ose për punë shtëpie, duke ofruar një zgjidhje praktike dhe miqësore me mjedisin.

Në fund të fundit, edhe pse peshqirët nuk skadojnë zyrtarisht, ata kanë një jetëgjatësi të kufizuar. Ndërrimi i tyre në kohën e duhur do të thotë më shumë higjienë, freski dhe kujdes për shëndetin tuaj.