Jennifer Esposito, ish-bashkëshortja e aktorit Bradley Cooper, ka bërë një rrëfim tronditës, duke zbuluar se rrezikon të mbetet pa strehë pasi hipotekoi shtëpinë e saj për të financuar filmin e parë si regjisore, dramën e vitit 2023 “Fresh Kills”.
Aktorja, e cila është njëkohësisht skenariste, producente dhe protagoniste e filmit, ka folur hapur për pasojat e këtij vendimi në një video emocionale të publikuar në rrjetet sociale.
Nuk duket mirë tani sepse qava. Po largohem nga shtëpia ime që e hipotekova për të realizuar këtë film
-shprehet Esposito në fillim të videos, duke mos e fshehur zhgënjimin dhe dhimbjen.
Ajo theksoi se ndihet e zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes nga industria e filmit dhe kolegët e saj. Sipas saj, edhe një gjest i vogël, si promovimi i filmit nga emra të njohur, do të kishte bërë diferencën.
Jam e zhgënjyer sepse kolegët e mi nuk më mbështetën. Njerëzit që janë në qendër të vëmendjes nuk mund të bëjnë një nder të thjeshtë dhe të thonë: ‘Shikojeni këtë film’. Atëherë mendova: askush nuk i detyrohet askujt asgjë. Por pastaj pyeta veten: a i detyrohemi diçka njëri-tjetrit si qenie njerëzore? Unë besoj se po, i detyrohemi mirësjellje
-tha ajo.
Në “Fresh Kills”, Esposito interpreton Francine-n, bashkëshorten e një bosi mafioz në Nju Jorkun e viteve 1980. Më herët, ajo kishte folur edhe për vendimin e guximshëm për të financuar vetë filmin e saj të parë, duke e quajtur atë një akt besimi ndaj vetes.
Në një intervistë për KTLA, ajo shpjegoi se ishte lodhur nga kufizimet dhe paragjykimet e industrisë:
Për vite me radhë, ky qytet më ka thënë çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëj. Mendova: pse duhet t’i kërkoj botës të besojë tek unë, kur duhet të besoj vetë? Prandaj vendosa të investoj paratë e mia. A do të jem më e lumtur sepse shtëpia ime është shlyer, apo sepse më në fund i dhashë vetes mundësinë që kam pritur gjithë jetën?
Filmi zhvillohet në Staten Island në fund të viteve ’80 dhe ndjek historinë e Rose LaRusso-s, një vajzë e re që zbulon se babai i saj është një figurë gjithnjë e më e fuqishme e mafias.
Sa i përket jetës personale, Jennifer Esposito dhe Bradley Cooper nisën lidhjen në vitin 2006, u fejuan po atë vit dhe u martuan në dhjetor.
Megjithatë, martesa e tyre zgjati vetëm pak muaj, pasi Esposito kërkoi divorcin në maj 2007, i cili u finalizua në nëntor të po atij viti.