Bota

Policia britanike identifikon viktimat dhe autorin e sulmit në sinagogë!

Policia britanike identifikoi dy personat e vrarë gjatë sulmit në sinagogën në Mançester. Sipas autoriteteve, Adrian Daulby 53 vjeç dhe Melvin Cravitz, 66, gjetën vdekjen një ditë më parë. Që të dy ishin banorë lokalë. Ata u vranë pasi një person përplasi këmbësorët me makinën e tij dhe më pas nisi të godiste me thikë njerëzit jashtë objektit të Sinagogës së Kongregacionit Hebraik, Heaton Park, në qarkun Krumpsall, në veri të Anglisë.

Autoritetet e identifikuan agresorin e dyshuar si Jihad al-Shamie, 35 vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga zyrtarët policorë në vendngjarje. Ai ishte shtetas britanik, me prejardhje siriane.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e zotit Daulby dhe zotit Cravitz, u shpreh shefi i policisë, Lewis Hughes përmes një deklarate.

Autoritetet britanike e kanë cilësuar si incident terrorist dhe pas ngjarjes, policia deklaroi se arrestoi dy vetë. Sulmi ndodhi kur besimtarët hebrenj po shënonin Jom Kipurin. Kjo festë konsiderohet si dita më e shenjtë në kalendarin hebraik kur besimtarët shkojnë në sinagogë për t’u lutur.