Bota

Sulmi në Britani, rëndohet bilanci i viktimave/3 të vdekur përfshirë agresorin!

Një sulm me thikë ka tronditur komunitetin hebraik në Mançester, në Anglinë veriore. Gjithçka ndodhi pranë sinagogës në Heaton Park, Crumpsall, gjatë festimeve të Yom Kippurit, festës më solemne në kalendarin hebraik. Sipas kryetarit të bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, i cituar nga BBC, dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre.

Agjentët rrethuan zonën përreth Rrugës Middleton, ku ndodhet sinagoga, për të lejuar shërbimet e emergjencës të shkonin në vendngjarje e të fillonin një hetim. Shërbimi i Urgjencës konfirmoi se ka dërguar automjete shtesë për të menaxhuar emergjencën dhe për të bashkëpunuar me forcat e tjera të sigurisë.

Burnham e quajti “serioz” sulmin dhe siguroi publikun se rreziku i madh është shmangur.

Situata është nën kontroll falë gatishmërisë së forcave të rendit. Motivi i sulmit dhe identiteti i autorit mbeten të paqarta. Autoritetet po punojnë për të rindërtuar dinamikën e saktë e për të verifikuar çdo lidhje të mundshme me kontekstin fetar ose kërcënime të tjera.

Starmer largohet nga samiti i Kopenhagenit

Kryeministri britanik, Keir Starmer u largua më herët nga samiti i Kopenhagenit për të kryesuar një takim pas sulmit në sinagogë. Sipas Downing Street-it, Starmer ka thirrur një takim ad hoc të Komitetit të Emergjencave Cobra në Londër këtë pasdite, me praninë e ministrave përkatës dhe drejtuesve të shërbimeve hetimore e të inteligjencës, të cilin synon ta kryesojë personalisht.

Një njësi e skuadrës së bombave u pa gjithashtu duke shkuar përpara sinagogës së Mançesterit me një automjet për të neutralizuar pajisjet e mundshme shpërthyese. Aktualisht është e paqartë nëse kjo ishte thjesht një masë paraprake apo nëse u gjetën pako të dyshimta në trupin e sulmuesit ose në automjetin që përdori për të sulmuar kongregacionin.