Bota Botë e Çuditshme

Praktikë e përdorur prej vitesh/Kopshti zoologjik në Danimarkë thirrje qytetarëve: “Keni kafshë shtëpiake të padëshiruara? Tani, vakt për grabitqarët!”

Një kopsht zoologjik në Danimarkë i ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë kafshët e tyre të shëndetshme dhe të padëshiruara shtëpiake, si pjesë e një përpjekjeje unike për të siguruar ushqim për grabitqarët që mbahen në ambientet e tij. Kopshti Zoologjik i Aalborgut ka kërkuar dhurime të pulave, lepujve dhe derrave të Guinesë të gjalla dhe të shëndetshme.

Sipas kopshtit zoologjik, kafshët dhuruese eutanizohen butësisht nga stafi i trajnuar dhe më pas përdoren si ushqim për grabitqarët si luanë, tigra dhe rrëqebuj euroaziatikë. Ky ushqim, sipas zyrtarëve të institucionit, imiton dietën natyrore që këto kafshë do të kishin në natyrë.

Në një deklaratë në rrjete sociale, kopshti thekson se ka përgjegjësi për të imituar zinxhirin ushqimor natyror dhe se ky lloj ushqimi ndihmon në mirëqenien fizike dhe psikologjike të grabitqarëve. Rafte të tëra mishi industrial nuk i ofrojnë të njëjtat përfitime. Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik, Pia Nielsen, tha se kjo praktikë është përdorur prej vitesh dhe është e zakonshme në Danimarkë. Sipas saj, kafshët mishngrënëse kanë nevojë për mish të freskët me lesh dhe kocka, si pjesë e një diete natyrale:

Kur mbahen kafshë mishngrënëse, është e nevojshme t’u sigurohet atyre mish, mundësisht me lesh, kocka etj., për t’u dhënë atyre një dietë sa më natyrale të jetë e mundur. Prandaj, ka kuptim të lejohen kafshët që duhet të eutanizohen për arsye të ndryshme të jenë të dobishme në këtë mënyrë. Në Danimarkë, kjo praktikë është e zakonshme dhe shumë nga mysafirët dhe partnerët tanë e vlerësojnë mundësinë për të kontribuuar. Kafshët që marrim si donacione janë pula, lepuj dhe kuaj.

Donacionet pranohen gjatë ditëve të javës dhe jo më shumë se katër kafshë në të njëjtën kohë, pa caktuar më parë një takim. Kuajt që dhurohen duhet të kenë pasaportë dhe të mos jenë trajtuar për sëmundje në 30 ditët e fundit. Donatorët e kuajve mund të përfitojnë gjithashtu një zbritje tatimore.

Praktika ka shkaktuar diskutime në publik – disa e vlerësojnë si një mënyrë të efektshme dhe të natyrshme për të ushqyer grabitqarët, ndërsa të tjerë e shohin si një qasje të ashpër ndaj kafshëve shtëpiake. Megjithatë, për kopshtin zoologjik, kjo është një formë etike dhe transparente për të menaxhuar resurset dhe për të trajtuar kafshët mishngrënëse në mënyrën më natyrale të mundshme. Kopshti zoologjik thotë se shumë qytetarë dhe partnerë e mirëpresin këtë mundësi për të kontribuar në mirëqenien e kafshëve dhe për të shmangur shkatërrimin e kafshëve të padëshiruara që përndryshe do të ishin eutanizuar ose braktisur.