Presidenti i Republikës, Ilir Meta kujton eksodin e ‘91-shit drejt Italisë e apelon që shqiptarët të rikthehen e të marrin në zotërim vendin e fatet e tyre, për ta ndërtuar Europën këtu. Në rrjetet sociale, Meta shkruan se “Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re e një të ardhme më të mirë. Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi e izolimi. Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur”. “Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!”, – nënvizon Meta.