Presidenti amerikan, Donald Trump reagon sërish dhe në Truth shkruan:
Po ia dalim shumë mirë me politikën tonë tarifore. Shumë emocionuese për Amerikën dhe botën.
Nuk ndan të njëjtin mendim eurokomisioneri për Ekonominë. Valdis Dombrovskis shkruan se tarifat amerikane do të ndikonin që PBB-ja e SHBA-ve të tkurret me 0.8-1.4% deri në vitin 2027, ndërsa GDP-ja e BE-së, me vetëm rreth 0.2%.
Dhe nëse tarifat do të konfirmoheshin përgjithmonë, pasojat ekonomike do të ishin edhe më negative për amerikanët.
Megjithatë, për momentin, presidenti amerikan ka njoftuar një pauzë të menjëhershme 90-ditore të tarifave reciproke.
Përjashtimi i vetëm është Kina. Në fakt, në Pekin detyrimet prej 145% do të zbatohen në përgjithësi. Dhe Pekini u përgjigj duke rritur kundërtarifat për mallrat amerikane nga 84 në 125%. Por, Trump mbetet optimist për një marrëveshje me Pekinin zyrtar.
Udhëheqësi kinez, Xi Jinping u shpreh se kombi i tij “nuk ka frikë”. Në të parat komente publike mbi përshkallëzimin e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara e që ka goditur tregjet ndërkombëtare dhe ka nxitur frikën e një recesioni global, Xi deklaroi:
Nuk ka fitues në një luftë tregtare dhe të shkosh kundër botës do të çojë vetëm në izolim.
Për më shumë se 70 vjet, zhvillimi i Kinës është mbështetur në vetëbesimin dhe punën e palodhur, asnjëherë në materialet e të tjerëve dhe nuk ka frikë nga ndonjë shtypje e padrejtë.
Pavarësisht se si ndryshon mjedisi i jashtëm, Kina do të mbetet e sigurt e do të qëndrojë e fokusuar dhe do të përqendrohet në menaxhimin e mirë të punëve të veta.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha se do ta dorëzojë një tjetër padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër tarifave amerikane. Javën e kaluar, Pekini zyrtar pezulloi importet e shpendëve nga disa kompani amerikane, vendosi më shumë kontrolle eksporti mbi mineralet e rralla, të cilat janë thelbësore për teknologji të ndryshme, si dhe vuri disa dhjetëra kompani amerikane në lista që ua ndalojnë atyre kineze t’iu shesin mallra për përdorim të dyfishtë.
Duke pasur parasysh madhësinë e të dyja ekonomive, ekspertët kanë frikë se do të ketë trazira ekonomike globale. Numri 1 i OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, tha më herët këtë javë, se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara e Kinës “mund ta dëmtojë rëndë perspektivën ekonomike globale”.