Presidenti i Republikës, Ilir Meta përcolli një mesazh sot në ditën e çeljes së fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki. Sipas kreut të shtetit, “vota është forca e vetme dhe e vërtetë e qytetarit në demokraci”.
Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë që nis sot, është një mundësi e shkëlqyer për subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithëpërfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
Presidenti Meta inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje.
Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, të një fushate në mbështetje të Kodit Elektoral, ligjeve dhe Kushtetutës, të drejtë, transparente, larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën, i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje. Nuk duhet humbur mundësia për çdo qytetar të tregojë forcën dhe vullnetin e tij për të zgjedhur kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se 654,538 shtetas shqiptarë kanë të drejtë të marrin pjesë në votimet e pjesshme të 6 marsit, në gjashtë bashki të vendit. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë, ndërsa 135 persona nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. 941 rezulton numri i qendrave të votimit.
Partive politike dhe kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bën thirrje ta zhvillojnë këtë fushatë qetësisht e në përputhje me Kodin Zgjedhor. Celibashi apeloi për pjesëmarrje masive në votimet për kryetarë të bashkive Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë e Lushnjë. Po ashtu, kërkoi të tregohet kujdes me mjetet e identifikimit, që të jenë të vlefshme.