Rajoni

Presidentja Osmani takon zv.sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot takon në Uashington zv.sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, siç bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar. Aty nuk jepen shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit.

Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur diskutuan fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, në të ardhmen.

Kryetarja e shtetit përmendi se mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorët e energjisë, teknologjisë informative dhe të mbrojtjes. Në kuadër të samiteve të ndryshme, përgjatë vitit, Osmani ka takuar edhe homologun Donald Trump e sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit, për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, nisur nga shqetësimet lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të Kosovës.

Dialogu ishte planifikuar për të forcuar lidhjet ekonomike e diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim. Vitet e fundit, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veriun me shumicë serbe e që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe se mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj e asnjëherë me çështje bilaterale.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e vendit, me mbështetje jetike.