Në Uashington, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi zv.sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau për të diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, raportoi se “palët shprehën bindjen se prosperiteti ekonomik dhe bashkëpunimi do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të largohet nga ndasitë e së kaluarës e të promovojë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon”.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh:
Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump.
Dy ditë më parë, presidentja takoi zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, i cili pritet të vizitojë Kosovën në ditët në vijim. Përmes një tjetër postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se bashkë me diplomatin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Kosova është e gatshme të avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë.
Në kuadër të vizitës në Uashington, Osmani ka mbajtur edhe një fjalim në një institut. Presidentja tha:
Ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit. Nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por për zhvillime shumë, shumë të vona. Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë.
Osmani iu referua sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, kur një grup serbësh patën sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në fjalën e saj, kryetarja e shtetit paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se ato nuk duhet të nënvlerësohen.
Sipas Vjosa Osmanit, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ne duam të ulemi me partnerët në këtë administratë për t’u shpjeguar se si Kosova ka këtë potencial. Kjo, natyrisht, është në interes të popullit tonë, në interes të vendit tonë dhe në interes të rajonit tonë. Por, në të njëjtën kohë, kjo përputhet me prioritetet e administratës Trump për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.