Aktualitet

Pretendimi i PD-së për blerje votash në Lezhë, reagon policia!

Policia e Lezhës hedh poshtë pretendimet e kandidatit demokrat në parlamentaret e 11 Majit, Gjin Gjoni se “një shtetase u kap në flagrancë duke blerë vota për PS-në, por megjithëse është ndaluar, uniformat blu të Lezhës nuk kanë dhënë informacion zyrtar për ngjarjen”.

Policia sqaroi se “ngjarja nuk ka të bëjë me zgjedhjet, por me një debat mes qiramarrëses dhe pronares së një lokali në Balldre të Lezhës”.

Lokali ku ka ndodhur konflikti është në pronësi të shtetases M.D., 62 vjeçe, banuese në Balldre dhe prej disa kohësh ia kishte dhënë me qura shtetases D.N., 36 vjeçe, banuese në Balldre.

Të përfshira në konflikt fizikisht ditën e sotme (26.04) janë vetë marrësja me qira e lokalit, shtetasja D.N., me shtetasen N.N., 32 vjeçe (vajza e shtetases M.D., pronares së lokalit) dhe arsyeja e konfliktit është për motive të dobëta, në lidhje me përdorimin e pajisjeve të lokalit, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasja D.N. u dërgua në spital dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është risjellë në ambientet e policisë për vazhdimin e procedurave. Gjithashtu, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes (dëshmitarë) janë shoqëruar shtetasja M.D. edhe dy shtetas të tjerë banues në Balldre, të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal kur ka ndodhur konflikti.