Muzeu i statujave prej dylli Grevin në Paris zbuloi Princeshën Diana me “fustanin e hakmarrjes”, atë që veshi pasi u publikuan detaje për tradhtinë e ish-bashkëshortit të saj, Princit Charles. Muzeu Grevin në qendër të Parisit, i ngjashëm me Madame Tussauds në Londër, ka tashmë edhe statujat e Charles-it, i cili tani është Mbreti Charles III, dhe të nënës së tij të ndjerë, Mbretëreshës Elizabeth II.

Por Diana kishte munguar prej kohësh, megjithë lidhjen e saj tragjike me qytetin ku humbi jetën në një aksident automobilistik në gusht të vitit 1997. Ajo ekspozohet duke veshur një kopje të fustanit të zi të krijuar nga stilistja Christina Stambolian, të cilin Diana e mbante gjatë një paraqitjeje publike në vitin 1994, mes interesimit të madh mediatik rreth prishjes së martesës me Charles-in. Ajo doli me fustanin e mrekullueshëm në të njëjtën ditë kur u transmetua një intervistë në të cilën Charles pranoi se kishte qenë jobesnik.
Ndërkaq, një libër i ri ka rikthyer në qendër të debatit një nga momentet më të bujshme në historinë televizive britanike: intervistën e vitit 1995 të Princeshës Diana me BBC-në. Autori Andy Webb, ish-gazetar i BBC-së, pretendon se televizioni publik britanik ka ditur prej dekadash se intervista u sigurua përmes mashtrimit dhe se ky fakt është mbuluar me vetëdije për më shumë se 20 vite.
Libri, i titulluar “Dianarama: Tradhtia e Princeshës Diana”, publikohet sot dhe premton të zbulojë “shkallën e tradhtisë ndaj princeshës dhe mbulimin e mëvonshëm”. Botimi vjen në një moment delikat për BBC-në, që tashmë po përballet me kritika për manipulimin e një fjalimi të Donald Trump. Një libër i ri ka zbuluar prapaskena të panjohura mbi marrëdhëniet mes Princeshës Diana dhe figurave të larta të Partisë Laburiste në vitet ’90. Autori mbretëror Valentine Low, në veprën “Power and the Palace”, përshkruan momentin kur Alastair Campbell, ish-sekretar shtypi i Tony Blair, u takua për herë të parë me Lady Dianën dhe mbeti “menjëherë i pushtuar”.