Një libër i ri ka rikthyer në qendër të debatit një nga momentet më të bujshme në historinë televizive britanike: intervistën e vitit 1995 të Princeshës Diana me BBC-në.
Autori Andy Webb, ish-gazetar i BBC-së, pretendon se televizioni publik britanik ka ditur prej dekadash se intervista u sigurua përmes mashtrimit dhe se ky fakt është mbuluar me vetëdije për më shumë se 20 vite.
Libri, i titulluar “Dianarama: Tradhtia e Princeshës Diana”, publikohet sot dhe premton të zbulojë “shkallën e tradhtisë ndaj princeshës dhe mbulimin e mëvonshëm”.
Botimi vjen në një moment delikat për BBC-në, që tashmë po përballet me kritika për manipulimin e një fjalimi të Donald Trump.
Një hetim i pavarur i vitit 2021 kishte konfirmuar se gazetari Martin Bashir përdori dokumente të falsifikuara për t’i krijuar Charles Spencer-it, vëllait të Dianës, idenë se rrethi i princeshës po e spiunonte dhe se njerëzit pranë saj ishin të lidhur me shërbimet sekrete. Kjo manovër rezultoi vendimtare që Spencer të pranonte të ndërmjetësonte intervistën ekskluzive.
Sipas librit të Webb, brenda BBC-së disa persona e dinin të vërtetën vetëm katër muaj pas transmetimit, por zgjodhën të mos e informonin Dianën.
Kjo, sipas autorit, e la princeshën në një gjendje të thellë pasigurie dhe dyshimi deri në fund të jetës së saj.
Dokumentet e falsifikuara bënë që Diana të besonte se po tradhtohej nga njerëzit më të afërt: policia, ndihmësit dhe madje edhe sekretarja personale.
Ajo u izolua gradualisht nga rrethi i saj i besimit, një proces që, sipas Webb dhe deklaratave të Charles Spencer, lidhet edhe me ngjarjet tragjike që pasuan.
Ajo e humbi besimin te të gjithë
-ka thënë Webb në një intervistë për ITV.
Dhe 18 muaj më vonë, e gjejmë në një Mercedes me një shofer të dehur, pa asnjë mekanizëm mbrojtës.
BBC ka pranuar më herët se dokumentet e përdorura nga Bashir ishin të falsifikuara dhe ka kërkuar falje zyrtare, por pretendimet e reja për një mbulim të qëllimshëm shumëvjeçar e vendosin sërish nën presion etik dhe publik rrjetin më të madh mediatik në Mbretërinë e Bashkuar.