Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, ka vendosur të flasë për herë të parë rreth thashethemeve të vjetra që e lidhnin me Princeshën Diana.
Në librin e tij të ri me kujtime, “Pajtimi”, që do të publikohet më 5 nëntor në Francë, 87-vjeçari ndalet në jetën e tij mbretërore, peripecitë personale dhe raportet e diskutueshme me “Princeshën e zemrave”.
Sipas “The Telegraph”, Juan Carlos mohon kategorikisht çdo lidhje romantike me Dianën, pavarësisht reputacionit të tij si një adhurues i femrave. Ai e përshkruan princeshën si “të ftohtë, të heshtur dhe të distancuar – përveç kur paparacët ishin të pranishëm”.
Thashethemet për një lidhje mes tyre nisën në mesin e viteve ’80, kur Diana dhe Princi Charles, së bashku me djemtë e tyre, William dhe Harry, kaluan disa vera në Pallatin Marivent në Palma de Mallorca – rezidencën verore të familjes mbretërore spanjolle.
Fotot e Dianës dhe Juan Carlos-it në jahtin mbretëror “Fortuna” ndezën spekulimet për një afrimitet të veçantë mes tyre.
Në atë periudhë, martesa e Dianës me Charles-in po kalonte kriza për shkak të lidhjes së këtij të fundit me Camilla Parker Bowles, çka e bëri publikun të besonte se princesha mund të kishte kërkuar ngushëllim diku tjetër.
Biografi i saj, Andrew Morton, ka shkruar se Diana e përshkruante mbretin spanjoll si “shumë epshndjellës” dhe se ndihej e parehatshme në prani të tij.
Juan Carlos u ngjit në fron pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco në vitin 1975, duke luajtur një rol kyç në transformimin e Spanjës drejt demokracisë. Ai fitoi respekt ndërkombëtar për ndalimin e një grushti shteti dhe për reformat demokratike që ndërmori.
Megjithatë, vitet që pasuan u shoqëruan me skandale që dëmtuan imazhin e tij: marrëdhënie jashtëmartesore, hetime financiare dhe udhëtime luksoze, përfshirë një udhëtim për gjueti elefantësh që shkaktoi zemërim publik.
Në vitin 2014, ai abdikoi në favor të djalit të tij, Mbretit Felipe VI, dhe më pas u tërhoq nga jeta publike.
Në vitin 2020, për të shmangur ndikimin në monarkinë e të birit, Juan Carlos u vendos në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jeton prej pesë vitesh.
Bashkëshortja e tij, Mbretëresha Sofia, ka mbetur në Spanjë, duke vazhduar detyrat zyrtare pranë mbretit aktual.
Për të ndihmuar djalin tim, kërkova një vend ku gazetarët spanjollë të mos më gjenin lehtë
-është shprehur ai për “Le Figaro”, duke theksuar se libri i tij synon të “forcojë vendin e tij në historinë e Spanjës”.
Ndërsa Spanja përgatitet të shënojë 50-vjetorin e vdekjes së Francisco Francos më 20 nëntor, mbetet e paqartë nëse ish-mbreti do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.
Por një gjë është e sigurt: me “Pajtimin”, Juan Carlos kërkon të rikthejë kontrollin mbi historinë e jetës së tij dhe të mbyllë njëherë e mirë kapitujt e mbushur me thashetheme që e kanë ndjekur për dekada.