Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Priten rezultatet e votimit elektronik!

Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është shprehur se rezultati i votimit elektronik në Njësinë 10 në Tiranë dhe në Vorë do të publikohet paraditen e sotme, teksa partitë politike kanë kërkuar që ai të publikohet pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për KZAZ-të ku është votuar në mënyrë manuale.

Në njësinë 10 dhe në Bashkinë e Vorës, në kushtet e një skepticizmi të një pjese të politikës kemi vlerësuar të përmbushim edhe kërkesën për shpalljen e votimin pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për KZAZ-të ku është votuar në mënyrë manuale. Këtë rezultat ne do ta kemi në mëngjes, tha Celibashi.

Rezultatet ende nuk kanë dalë dhe nga KQZ-ja pritet dhënia e tyre. Drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka mbërritur në Vorë, ku edhe pritet që të dalë rezultati i votimit elektronik. Ndërkohë, sipas të dhënave, dy kutitë e fundit po hidhen në sistem dhe pritet të nxirret edhe rezultati.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka siguruar informacion të plotë dhe përfundimtar mbi pjesëmarrjen, por informacioni i pjesshëm sugjeron se nga lista e votuesve brenda vendit, në zgjedhjet e së dielës votuan 42.2%. Lista e brendshme përmban 3.47 milion emra dhe për rrjedhojë, vlerësimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet e së dielës rezulton 1.46 milion.

Në krahasim me katër vjet më parë, kur në vend u hodhën në zgjedhje parlamentare 1.66 milion vota, rezulton se afro 200 mijë vetë, ose nuk morën pjesë në zgjedhje ose janë larguar nga Shqipëria përgjatë katër viteve të fundit.