Aktualitet

Problematika nga shirat në Vlorë, Durrës e Lezhë!

Reshjet e shiut që orët e fundit kanë përfshirë të gjithë vendin shkaktuan problematika në disa akse në Vlorë dhe në Durrës. Në qytetin bregdetar jugor ka prani uji në rrugët “Hasan Kushta” e te Kisha dhe në disa rrugica në lagjen 24 Maji.

Qarkullimi i automjeteve është vështirësuar edhe në Durrës, me ujin që kryesisht mbuloi segmentet e ulëta të qytetit gjithashtu bregdetar. Përmbytja, fatkeqësisht, nuk solli vetëm dëme materiale. Një 43-vjeçar humbi jetën ndërsa ecte në ujë pranë një shtylle të dëmtuar. Ai u godit nga energjia elektrike.

Problematika nga reshjet edhe në qytetin e Lezhës ku uji ka përmbytur disa rrugë. Në lagjen Besëlidhja, banorët janë bllokuar. Punonjësit e shërbimeve publike në terren po ndërhyjnë për normalizimin e situatës.

Sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu që ishin prezente që në orët e para të ditës, fillimisht në veriperëndim e gradualisht u shtrinë edhe në zonat perëndimore e qendrore. Ato ndërpriten në orët e mbrëmjes në pjesën më të madhe të territorit, duke mbetur prezente vetëm në veri, por me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, era fryn me drejtim nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare, zonave luginore dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave, fiton shpejtësi deri në 20 m/s. Deti është me valëzim të forcës 4-5 ballë. Ndërkaq, temperaturat variojnë në vlerat 16-33 gradë Celsius.