Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), prodhimi i energjisë bërthamore pritet të thyejë rekorde në vitin 2025 për shkak të rritjes globale të kërkesës për energji, veçanërisht nga qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale. Për shkak të krizës klimatike, kërkohen energji që prodhohen pa shkaktuar emetime të larta. Kjo është arsyeja pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në Paris parashikon një rilindje të energjisë bërthamore.
Sipas IEA-së prodhimi i energjisë elektrike nga flota botërore prej gati 420 reaktorësh bërthamorë do të arrijë një nivel të ri rekord këtë vit. Ky është rezultati i një studimi të publikuar së fundmi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. IEA parashikon që prodhimi i energjisë bërthamore do të arrijë një rekord të ri në vitin 2024 dhe do të arrijë rreth 2,900 teravat në orë deri në vitin 2025, duke përbërë rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm global të energjisë elektrike. Aktualisht, janë në ndërtim reaktorë të rinj me kapacitet 70 gigavat dhe mbi 40 shtete po përpiqen të rrisin kapacitetet e tyre bërthamore.
Shteti amerikan i Virxhinias mund të bëhet vendi i parë në botë që ndërton një impiant energjie bërthamore që do të prodhojë energji në shkallë industriale. Kështu thuhet të paktën në një njoftim të kompanisë startup, Commonwealth Fusion Systems (CFS). Projekti synon të prodhojë energji të pastër dhe të gjenerojë rrymë për rrjetin elektrik deri në fillim të vitit 2030. Centrali, që do të ndërtohet afër Riçmondit në Virxhinia, pritet të prodhojë 400 megavat, mjaftueshëm për të furnizuar rreth 150 000 shtëpi, sipas drejtuesit të CFS, Bob Mumgaard.
“Kjo do të jetë hera e parë që energjia bërthamore në këtë shkallë do të jetë në dispozicion për rrjetin elektrik në nivel global,”-tha Mumgaard. Guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin, e quajti këtë zhvillim “një moment historik për Virxhinian dhe botën”. Projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt komercializimit të shkrirjes bërthamore. Ky proces përfshin bashkimin e atomeve për të krijuar energji të fuqishme, duke përdorur hidrogjenin, elementin më të bollshëm në univers. Për këtë teknologji përdoret një makineri e veçantë, në formë petulle, që quhet tokamak.