Aktualitet

Prodhimi në krizë, bujqësia në tkurrje për të pestin vit, industria për të tretin!

Industria dhe bujqësia, baza e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjenerues të mëdhenj të punësimit, janë në një krizë të thellë. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se bujqësia shënoi rënie vjetore në 3-mujorin e parë 2025 me 2.76% ndërsa sektori i industrisë përpunuese me -7.46, rënia më e fortë që nga tremujori i parë i vitit 2020 ku lëvizjet u bllokuan nga pandemia.

Bujqësia hyri në vitin e pestë të rënies më 2025-ën, industria në të tretin. Rënia e bujqësisë dhe industrisë në ekonomi është një sinjal negativ për zhvillimin afatgjatë, pasi këta dy sektorë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të prodhimit, punësimit dhe ekuilibrit tregtar të vendit.

Bujqësia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë rreth 16% të PBB-së në Shqipëri e janë punëdhënësi më i madh në vend me mbi 32% të totalit më 2023-shin. Kjo përqindje është edhe më e lartë, veçanërisht në zonat rurale.

Rënia e bujqësisë po krijon varësi më të madhe nga importet e ushqimeve, çka rrit deficitin tregtar e ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të çmimeve globale. Ky zhvillim lajmëron rritje të çmimeve të ushqimeve në vijim. Për herë të parë, më 2024-ën, Eurostat-i përllogariti se çmimet mesatare të ushqimeve në Shqipëri janë më të larta sa mesatarja e vendeve të BE-së.

Eurostat, për herë të parë më 2024-ën, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Europë

Të dhëna më të detajuara tregojnë se bujqësia është në trajektore rënëse kryesisht për shkak të zhvillimeve negative në fermat familjare së fortë të sektorit të blegtorisë. Në dekadën e fundit numri i kafshëve për qumësht dhe mish gati është përgjysmuar prej falimentit të fermave të vogla.

Rënia e popullsisë në fshatra dhe plakja e saj ka bërë që fermat e vogla familjare me kafshë të shuhen. Për të njëjtat arsye ka rënë edhe prodhimi bujqësor në fushë. Fermat familjare për vetëkonsum janë në faliment të vazhdueshëm nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në fshat.

Gjithashtu sektori i industrisë ka hyrë në një krizë të thellë me rënie për të pestin tremujorin radhazi, teksa industria përpunuese është në vitin e tretë të rënies. Industria (përpunimi, energjia, minierat, etj.) zë afërsisht 10% të PBB-së, duke kontribuar në mbi 13 % të punësimit total më 2023-shin.

Fabrikat kanë hyrë në krizë pa kthim nga rënia e fortë e euros, rritja e kostove të brendshme nga rritja e pagës minimale e kombinuar më rënie të kërkesës nga jashtë.

Rënia e industrisë shënon efekt domino pasi është e lidhur me logjistikën, energjinë, ndërtimin dhe punësimin. Industria, veçanërisht përpunimi, është më e ndjeshme ndaj krizave ekonomike dhe cikleve globale.

Rënia e bujqësisë dhe industrisë në Shqipëri në vitet e fundit ka një ndikim negativ të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, në mirëqenien e qytetarëve dhe në aftësinë e vendit për të tërhequr investime afatgjata. Rritja ekonomike pa themele në prodhim dhe bujqësi rrezikon të mbetet e paqëndrueshme dhe e ndërtuar mbi sektorë jo-produktivë, si ndërtimi apo konsumi i pakontrolluar./Monitor