Aktualitet

Ekonomia po rritet, por bazat e prodhimit, bujqësia dhe industria po shkatërrohen!

Ndërsa ekonomia e Shqipërisë po rritet përtej mesatares së dekadës në tre vitet e fundit, sektorët prodhues, si bujqësia dhe industria që i sigurojnë vendit përfitime afatgjata, janë në rënie pa kthim. Bujqësia, sektori kryesor i ekonomisë shqiptare që kontribuon me shumë se 18% të PBB-së shënoi rënie me -2.5% në tremujorin e tretë 2024. Kjo ishte rënia më e fortë që nga tremujori i katërt i vitit 2022 kur prodhimi u dëmtua nga ngrica. Bujqësia ra për të tetin 3-mujor rresht.

Për 9 mujorin, sektori bujqësor ka shënuar rënie të prodhimit me rreth 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sektori tjetër që është baza e prodhimit “Made in Albania”, industria, është në rënie prej gjashtë tremujorësh. Në korrik-shtator, PBB-ja në industri shënoi rënie me 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitin e kaluar, bujqësia kontribuoi ne 32.3% të punësimit në vend, ndërsa sektori i industrisë kontribuoi në 11.4% të punësimit total. Bujqësia dhe industria janë dy degë të rëndësishme me peshë në ekonominë shqiptare. Në vitin 2023, bujqësia kontribuoi në 18.5% të PBB-së totale dhe industria në 10,9 % të saj, teksa të dyja bashkë zënë 30% të PBB-së.

Sektorët e prodhimit, bujqësia dhe industria u dëmtuan rëndë nga zhvillimet në kursin e këmbimit ku monedha vendase është forcuar ndjeshëm ndaj euros. Në vitin 2013, euro u këmbye mesatarisht me 140.5 lekë ndërsa këtë vit, poshtë nivelit 99 lekë. Kjo ecuri ka rrënuar të ardhurat nga shitjet të eksporteve shqiptare.

Nga ana tjetër ka favorizuar importet, të cilat janë blerë më lirë për shkak të rënies së vlerës së euros, duke konkurruar edhe prodhimet shqiptare në tregjet vendase. Këtë vit, shumë biznese në sektorin e prodhimit që kanë falimentuar, janë transferuar në sektorë të tjerë ose po kalojnë në import.

Rritja ekonomike po udhëhiqet nga sektorë jo shumë të qëndrueshëm, si ndërtimi dhe turizmi. Ndërtimi u rrit me 5.3% në tremujorin e tretë, por kontributi i tij në punësimin total nuk ka ecur në të njëjtat ritme. Në vitin 2023, ndërtimi kontribuoi në 7.6% në punësimin total, në nivele pak a shumë të ngjashme me vitin 2022.

Turizmi është dega e ekonomisë me rritjen më të shpejtë, duke u shndërruar në promotorin kryesor të rritjes. Por, ekspozimi i lartë ndaj këtij sektori e bën më të mprehtë krizën si në rastin e pandemisë COVID-19. Ekspertët pohojnë se vetëm prodhimi ka fuqinë të çojë ekonominë në zinxhirin e lartë të vlerës dhe të sigurojë të ardhura të qëndrueshme në afat të gjatë./Monitor