Aktualitet Sociale

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026 në Bujqësi, 12 masa direkte dhe investimi!

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, një paketë e re financimi për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Në një postim, kryeministri Edi Rama shkruan se skema përfshin gjithsej 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 investimi.

Ndër direktet, përfshihen mbështetja për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit e të imtave, zhvillimi i bletarisë, mbështetja për tufën e dosave dhe paradosave, kontrolli biologjik i dëmtuesve në sera dhe tunele plastike, fermat organike, certifikimi GlobalGAP, mbështetja për sipërfaqet e mbjella, si dhe ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme.

Ndërkohë, te masat e investimit përfshihen mbështetja për fermerët e rinj, ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve, si dhe financimi për pajisje, makineri e mjete që synojnë mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në bujqësi.

Sipas kryeministrit, kjo skemë përbën një tjetër hap konkret për të mbështetur prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.

Aplikimet për Skemën Kombëtare 2026 kryhen online përmes platformës e-Albania.

Postimi i plotë:

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026

Skema Kombëtare e Mbështetjes përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimi

Masat direkte të mbështetjes:

• Tufa bazë e matrikulluar e gjedhit

• Tufa bazë e matrikulluar e imtave

• Mbarështimi i bletarisë

• Tufa bazë e matrikulluar e dosave dhe/ose paradosave

• Kontrolli biologjik i dëmtuesve në sera dhe tunele plastike

• Fermat organike

• Implementimi dhe certifikimi Global GAP

• Mbështetja për sipërfaqet e mbjella

• Ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme

Masat e investimit:

• Mbështetje për fermerët e rinj

• Ndërtim dhe rikonstruksion stanesh

• Pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës

Një tjetër hap konkret për të mbështetur prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare

Aplikimi kryhet online përmes platformës e-Albania