Prodhuesit japonezë të automjeteve, Nissan Motor Corporation dhe Honda Motor Company, konfirmuan se po diskutojnë mbi një bashkëpunim më të ngushtë, por mohuan raportimet se kanë vendosur të bashkohen. Çmimi i aksioneve të Nissan-it u rrit me më shumë se 22% në Tokio pasi raportimet që citonin burime të paidentifikuara, thanë se mund të bashkohet me Honda-n për të formuar grupin e tretë më të madh prodhues të automjeteve në botë, siç raporton AP. Në anën tjetër, çmimi i aksioneve të Honda-s, ra me 3%.
Siç bëhet e ditur, anëtari i aleancës Nissan, Mitsubishi Motors Corporation, po ashtu është i përfshirë në bisedime. Që të tre prodhuesit japonezë të automjeteve, në gusht njoftuan se planifikonin që me njëri-tjetrin të ndanin pjesë për automjete elektrike, si bateritë, si dhe të punonin bashkërisht në programet për drejtim autonom, për t’iu përshtatur më mirë ndryshimeve dramatike në industrinë e automjeteve, të përqendruara rreth elektrifikimit.
Një marrëveshje paraprake ndërmjet Honda-s, prodhuesit të dytë më të madh në Japoni dhe Nissan-it, të tretit, u bë e ditur në muajin mars. Tregtia me aksionet e Nissan-it u pezullua, por më pas u kthye pasi kompanitë lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhet se po “shqyrtojnë mundësi të ndryshme për bashkëpunim të ardhshëm, por se nuk është marrë asnjë vendim”.
Një bashkim i kompanive mund të rezultojë në një gjigant me vlerë prej rreth 55 miliardë dollarësh, bazuar në vlerën në treg të të gjithë tre prodhuesve të automjeteve. Bashkimi i forcave do t’i ndihmonte dy kompanitë të rrisnin peshën për të garuar me liderin japonez të tregut, Toyota Motor Corporation e me Volkswagen AG-në e Gjermanisë.
Ngritja e prodhuesve kinezë të automjeteve po e lëkund industrinë në kohën kur prodhuesit po përballen me telashe në kalimin nga automjetet me lëndë djegëse, në ato elektrike. Toyota prodhoi 11.5 milion automjete vitin e kaluar e Honda nxori në treg 4.2 milion. Nissan prodhoi 3.4 milion e Mitsubishi Motors ka prodhuar pak më shumë se 1 milion. Edhe në rast bashkimi, Toyota do të mbetej prodhuesi më i madh japonez i automjeteve.