Kardinali Robert Francis Prevost është Papa i ri. Ai ka zgjedhur emrin Leone XIV (Leoni i 14-të). I lindur në Chicago, 69 vjeç, ai është një figurë e njohur në panoramën e episkopatës amerikane. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Papës Francesku, pasi ka shërbyer si Prefekt i Dicasterit për peshkopët. Ai është Papa i parë amerikan (ndonëse, në fjalimin e tij të parë, ka zgjedhur të mos thotë asnjë fjalë në anglisht). Pavarësisht se është pjesë e grupit të kardinalëve amerikanë, ai është konsideruar si më pak “amerikan” se kolegët e tij, pasi ka një histori si misionar dhe njeh shumë mirë Amerikën Latine.
Zgjedhja e Papa Leones u prit me entuziazëm mes besimtarëve katolikë, por edhe me hezitim nga një grup njerëzish, ku përfshihen mbështetësit e teorive konspirative. Një profeci e vjetër ka dalë në dritë, e cila tregon se 69-vjeçari me sa duket do të jetë peshkopi i fundit i Romës. Profecia e shkruar në vitet 1100 nga një person me emrin e Shën Malachy, i njohur thjesht si ‘Malakia’ gjatë jetës së tij, mban titullin ‘Profecia e Papëve’ dhe parashikimet aty, nuk përcjellin aspak një fund të bukur për njerëzimin.
Sipas tekstit të Malachy, do të kishte edhe 112 papë të tjerë që nga koha e tij dhe lista mbyllej me një referencë ogurzezë për një burrë të quajtur ‘Pjetri Romak’ i cili do të shërbente si peshkopi i Romës gjatë kohëve të fundit. Sipas tekstit, mandati i Pjetrit Roman shpaloset në këtë mënyrë: “Pjetri Roman do të udhëheqë delet e tij nëpërmjet shumë mundimesh dhe kur këto gjëra të mbarojnë, qyteti i shtatë kodrave do të shkatërrohet dhe gjykatësi i tmerrshëm do të gjykojë popullin e tij. Fundi.”
Disa individë tentojnë ta lidhin këtë profeci me Papa Leonin X14, edhe pse ai në fakt ka nënshtetësi amerikane dhe peruane, jo italiane, siç do të sugjeronte një emërtim i tillë si ‘romani’, e thonë se i druhen një konflikti bërthamor, që do ta godiste rëndë njerëzimin. Ndërkaq, në meshën e tij të parë si Papë, të mbajtur nën afresket e Mikelanxhelos në Kapelën Sistine, Leoni i XIV tha se shpreson të drejtojë një kishë katolike e cila të “ndricojë netët e errëta të kësaj bote”. Zgjedhja e papritur e Robert Francis Prevost si i pari Papë amerikan erdhi pas një konklava që zgjati më pak se 26 orë, një nga më të shkurtrat në historinë moderne të kësaj kishe. Gjatë meshës me kardinalët, Leoni e nisi predikimin e tij në anglisht, përpara se të kalonte në gjuhën italiane.