Shtëpia e Bardhë njoftoi se bisedimet e Gjenevës me Kievin shënuan “përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë dhe rezultuan me një kornizë “të përditësuar e të ripërcaktuar” që përfshin sovranitetin e plotë të Ukrainës dhe arritjen e paqes.
Në deklaratën e lëshuar nga Uashingtoni nuk janë përmendur specifika të ndryshimeve të bëra në planin e paqes me 28 pika që i është çuar presidentit amerikan, Donald Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kritikua nga mbështetësit e Kievit, të cilët e konsiderojnë dokumentin si shumë miqësor për Rusinë.
Propozimi amerikan raportohej se përfshinte edhe zvogëlimin e numrit të forcave të armatosura ukrainase dhe njëkohësisht zvogëlim të ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, që ka qenë thelbësore në luftën e Ukrainës kundër ushtrisë ruse.
Bisedimet kanë qenë konstruktive, të fokusuara, të zhvilluara me respekt dhe nënvizojnë përkushtimin e përbashkët për të arritur paqe afatgjatë, u theksua në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina. Diskutimet shënojnë përparim domethënës drejt përafrimit të pozicioneve dhe identifikim të hapave të ardhshëm.
Në bisedime është bërë e qartë se çdo marrëveshje e së ardhmes duhet të ruajë sovranitetin e Ukrainës dhe të përcaktojë vetëm paqe të qëndrueshme. Si rezultat i diskutimeve, palët kanë përpiluar një kornizë të përditësuar e të ripërcaktuar.
Në deklaratë është përmendur edhe që palët ranë dakord “të jenë në kontakt të ngushtë me partnerët europianë”, të cilët mbeten disa prej mbështetësve me të fuqishëm të Ukrainës. Vetë Trump nuk ka bërë ndonjë koment publik pas takimit.
Bashkë me aleatë europianë të Ukrainës, disa ligjvënës amerikanë, përfshirë republikanë, kritikuan propozimin origjinal, dhe disa e përshkruan si shumë të përshtatshëm për Kremlinin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio drejtoi delegacionin amerikan në bisedimet e djeshme me zyrtarët ukrainas në Gjenevë, ndërsa Uashingtoni e ka rritur presionin ndaj Kievit për të pranuar shpejt planin amerikan.
Trump është shprehur i zemëruar me Ukrainën dhe aleatët europianë që e kanë kundërshtuar propozimin fillestar. Pas takimit, Rubio vuri në dukje se është arritur përparim i jashtëzakonshëm dhe se Trump është shumë i kënaqur.
Menjëherë pas bisedimeve në Zvicër, Rubio u kthye në Uashington.