Protesta e PD ka nisur menjëherë me breshëri molotovësh drejt Kryeministrisë. Sapo Berisha dhe militantët mbërritën në shesh, pas disa thirrjeve me megafon, molotovë u hodhën drejt godinës së qeverisë, ndërsa policia u përgjigj menjëherë me gaz lotsjellës dhe ujë. Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekziarre edhe në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës.
Kësaj radhe, PD ka zëvendësuar flamujt e SHBA me ato të Gjermanisë, një simbol i akuzave se Gjermania po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për shkak të mbrojtjes që Rama i bëri Belinda Ballukut. Në tubim kësaj radhe nuk merr pjesë kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i cili ndodhet në Berlin.
Për ruajtjen rendit dhe sigurisë gjatë protestës, Policia ka angazhuar 1500 efektivë policie. Protesta zhvillohet në një ditë feste për komunitetin bektashi, atë të Sulltan Norvuzi. Megjithatë, simbolika e zgjedhur nga demokratët, është ajo e 22 marsit të vitit 1992 që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Kreu i PD Sali Berisha i maskuar me kundragaz është larguar me një pjesë të protestuesve.