Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.
Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Më pas ata vijuan protestën e tyre dhe në rrugë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Gjithashtu ata kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë, pasi po përballen më këtë situatë shqetësuese në prag të festave. Ata kanë paralajmëruar se nesër në orën 10:00 do të protestojnë para Bashkisë.
Vlora prej tri ditësh përballet me mungesë të furnizimit të ujit të pijshëm. Linja e transmetimit ka pësuar çarje të rëndë. Avaria në tubacionin kryesor e ka bërë situatën të vështirë për qytetarët. Ujësjellësi i Vlorës ka bërë me dije se ende nuk është arritur të rregullohet defekti, por po punohet për gjetjen e një rruge alternative për furnizimin e qytetarëve me ujë.