Prej disa ditësh, një grup qytetarësh dhe aktivistësh të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj, po mban një protestë para Kryeministrisë.
Ata kundërshtojnë qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama për të mos shkarkuar zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për abuzime me tenderët publikë.
Gjatë mbrëmjes së sotme protesta është shoqëruar edhe më një përplasje mes forcave të policisë dhe Lapajt, pasi policia i ka kërkuar sërish që të largojnë çadrat të cilat kanë vendosur para godinës së Kryeministrisë për të qëndruar gjatë natës.
Dy ditë më parë, policia e Tiranës ka kallëzuar në Prokurori Adriatik Lapajn pas vendimit për të protestuar para Kryeministrisë.
Sipas policisë ata kanë zaptuar hapësirën publike si dhe kanë bllokuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë në këtë zonë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori për shtetasit:
• A. L., pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes.