Politikë

Tezja e Adriatik Lapajt mbetet deputete, Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KAS-it!

Mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” do t’i mbetet Ana Dajkos, tezes së Adriatik Lapajt. Kolegji Zgjedhor vendosi sot në mënyrë unanime që të lërë në fuqi vendimin e Këshillit të Ankesave dhe Sanksioneve, që ia akordonte mandatin të parës në listën e mbyllur të këtij koalicioni.

Fillimisht Lapaj dhe koalicioni kishin kërkuar që mandati t’i kalonte atij, si më i votuari në listën e hapur. Por Komisioneri Shtetëror ia akordoi kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli. KAS e ndryshoi më pas këtë vendim, duke mos njohur dorëheqjet e dhëna para zgjedhjeve dhe duke ia akorduar mandatin Dajkos.

Edhe nëse bëhet transferimi i mandatit, në të gjitha rastet duhet të kalojë në dorën e një zonje, pasi Kodi Elektoral përcakton qartë se një grua nuk mund të zëvendësohet me një burrë.

Ana Dajko, 60-vjeçarja nga Saranda u kandidua nga djali i saj, anëtar i kryesisë së “Shqipëria Bëhet”, ndërsa njihet edhe si tezja e Lapajt. Nëse ajo nuk e pranon mandatin, e dyta në listë është partnerja e Endri Shabanit.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, për të shmangur listat e mbyllura vendosën në to familjarë dhe të afërm, të cilët do të jepnin dorëheqjen dhe mandati do t’i kalonte me të votuarit mes tyre.