Showbiz

Pse Catherine O’Hara mungoi në xhirimet e sezonit të dytë të “The Studio”, pak ditë para ndarjes nga jeta?

Sipas raportimeve të mediave britanike dhe amerikane, aktorja e njohur Catherine O’Hara kishte munguar në nisjen e xhirimeve për sezonin e dytë të serialit “The Studio”, vetëm disa ditë para ndarjes së saj të papritur nga jeta në moshën 71-vjeçare.

Një deklaratë nga CAA, agjencia që e përfaqësonte O’Hara, bëri të ditur se aktorja ndërroi jetë të premten në shtëpinë e saj në Los Angeles, “pas një sëmundjeje të shkurtër”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi shkakun e vdekjes.

Catherine O’Hara, e njohur për rolet ikonike në Home Alone dhe Schitt’s Creek, ishte planifikuar të rikthehej në sezonin e dytë të “The Studio”, ku interpretonte personazhin Patty Leigh. Xhirimet për sezonin e ri nisën në mesin e janarit, por sipas burimeve pranë produksionit, orari i saj u ndryshua në momentet e fundit.

Një burim i cituar nga The Sun ka deklaruar se O’Hara ishte parashikuar të shfaqej në disa nga skenat e para, por këto u riorganizuan për shkak të “çështjeve personale”.

Ajo ishte e planifikuar për xhirime, por produksioni e ndryshoi axhendën dhe u fokusua në skena ku personazhi i saj nuk ishte i përfshirë. Nuk ishte e ditur gjerësisht që ajo po përballej me probleme shëndetësore serioze. Sa dimë, ajo nuk arriti të xhironte asnjë skenë për sezonin e dytë

-citohet të ketë thënë burimi.

Mediat raportojnë gjithashtu se aktorja u transportua me urgjencë në spital pasi kishte vështirësi në frymëmarrje në banesën e saj në Brentwood, në orët e para të mëngjesit.

Ajo u shtrua në gjendje të rëndë, por u shpall e vdekur disa orë më vonë. Shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik.

Catherine O’Hara ishte gjithashtu e nominuar për çmimin “Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor në Televizion” për rolin e saj në “The Studio”, por mungoi në ceremoninë e Golden Globe 2026, një detaj që pas ngjarjes ka nxitur spekulime mbi gjendjen e saj shëndetësore.

Pas publikimit të lajmit, figura të njohura të kinemasë dhe televizionit kanë reaguar me mesazhe prekëse, duke e kujtuar O’Hara si një ikonë të humorit dhe një artiste të jashtëzakonshme.