Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ndarjen e papritur nga jeta të aktores së njohur Catherine O’Hara, e cila ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, vetëm disa orë pasi u dërgua me urgjencë në spital nga banesa e saj në Los Angeles.
Sipas një audio-regjistrimi të siguruar nga Daily Mail, ylli i “Home Alone” po përjetonte vështirësi serioze në frymëmarrje kur shërbimet e emergjencës u thirrën në shtëpinë e saj në zonën Brentwood, rreth orës 5:00 të mëngjesit të së premtes.
Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles konfirmoi se Catherine O’Hara u transportua me urgjencë në një spital të afërt në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në orën 4:48 të mëngjesit iu përgjigjëm një kërkese për ndihmë mjekësore dhe transportuam një grua rreth 70-vjeçare në gjendje serioze
-deklaroi një zëdhënës i LAFD për Daily Mail.
Fatkeqësisht, vetëm disa orë më vonë, aktorja ikonike u shpall e vdekur. Deri tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik.
Paraqitja e fundit publike e O’Hara-s ishte në ceremoninë e Emmy-ve në shtator, ku fansat dhe mediat vunë re se ajo dukej e brishtë në tapetin e kuq. Ajo mungoi gjithashtu në Golden Globes 2026, më 11 janar, ku ishte e nominuar për rolin e saj në serialin “The Studio”.
Lajmi i ndarjes së saj nga jeta shkaktoi reagime të shumta emocionale në Hollywood. Macaulay Culkin, djali që ajo “mbrojti” në filmat e famshëm “Home Alone”, e quajti thjesht “Mama” në një postim prekës, duke prekur miliona fansa në mbarë botën.

Catherine O’Hara lë pas bashkëshortin e saj prej më shumë se 30 vitesh, Bo Welch, si dhe dy djemtë e tyre, Matthew dhe Luke. Ikona e komedisë do të kujtohet për talentin e saj unik, rolet e paharrueshme dhe trashëgiminë e madhe artistike që la pas.